Tragjedi në Milano: Tre persona humbin jetën në zjarr në një ndërtesë banimi, evakuohen rreth 40 persona

Një zjarr i rëndë përfshiu mbrëmë një ndërtesë katërkatëshe në Cornaredo, pranë Milanos, duke shkaktuar vdekjen e tre personave. Viktimat janë një çift i moshuar, 88 dhe 82 vjeç, dhe djali i tyre 55-vjeçar.

Sipas Karabinierëve të Komandës Provinciale të Milanos, rreth 40 persona u evakuuan nga godina, ndërsa tetë prej tyre u plagosën dhe u transportuan në spital për trajtim, kryesisht për shkak të thithjes së tymit. Fatmirësisht, asnjë prej të plagosurve nuk raportohet në gjendje të rëndë.

Në vendngjarje ndodhen Zjarrfikësit e Corsico-s (Milano) dhe njësia hetimore e Brigadës së Zjarrfikësve, të cilat po punojnë për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të flakëve. Apartamenti ku shpërtheu zjarri është aktualisht i bllokuar për arsye sigurie.

Në total, 17 familje u detyruan të lënë banesat e tyre për shkak të tymit dhe rrezikut nga përhapja e zjarrit. Nëntëmbëdhjetë persona iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore preventive.

Hetimet për shkaqet e incidentit tragjik janë ende në zhvillim.