Mbreti i Marokut u kërkon deputetëve të merren me padrejtësitë sociale që shkaktuan protestat
Mbreti Mohammed VI i Marokut u bëri sot thirrje zyrtarëve të ndalojnë humbjen e kohës dhe të përballen me padrejtësitë në shoqëri, të cilat kanë shkaktuar valë protestash në vend, raporton Associated Press. Në fjalimin e tij para parlamentit, monarku u fokusua tek çështjet e ngritura nga protestuesit, kryesisht të rinjtë, duke kërkuar nga deputetët që të tregojnë përgjegjësi dhe përkushtim ndaj kërkesave të qytetarëve.
“Drejtësia sociale nuk është një përparësi e përkohshme, por një drejtim strategjik që duhet të udhëheqë çdo politikë zhvillimi,” deklaroi ai, duke shtuar se projektet kombëtare dhe programet sociale duhet të ecin paralelisht për të përmirësuar jetesën e qytetarëve në çdo rajon të vendit.
Fjalimi energjik i mbretit pasqyroi disa nga shqetësimet e ngritura në rrugë, përfshirë pabarazitë rajonale dhe zhvillimin e pabarabartë, por ai nuk iu drejtua drejtpërdrejt lëvizjes protestuese. Demonstratat në Marok kanë hyrë në javën e dytë, me pjesëmarrje të gjerë të të rinjve që kërkojnë shërbime publike më të mira, rritje të buxhetit për shëndetësinë dhe arsimin, si dhe reforma kundër korrupsionit.
Fjalimi i mbretit u prit me interes të madh, pasi kolektivi “Gen Z 212”, organizatori i shumë protestave, i kishte dërguar më parë një letër ku i kërkonte të ndërhynte kundër zyrtarëve të korruptuar. Megjithatë, Mohammed VI nuk la të kuptohej nëse do të plotësoheshin kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Aziz Ahanush apo nisjen e një hetimi të ri për korrupsion.
Ndërkohë, lëvizja “Gen Z 212” ka zgjeruar listën e kërkesave, duke kërkuar më shumë punonjës në sektorin shëndetësor, rritje të investimeve publike dhe ndalimin e privatizimit në rritje të sistemit arsimor. Protestuesit kërkojnë gjithashtu lirimin e personave të arrestuar gjatë demonstratave.