Besart Xhaferri: Privatizimi i Bashkisë Rrogozhinë dhe heshtja e SPAK për ‘Manualin Memolla’ të Nepotizmit!
Pas denoncimit të bërë nga emisioni ‘Piranjat’ në Syri TV për kreun e bashkisë Rrogozhinë, ka reaguar deputeti i PD, Besart Xhaferri. Ai ngre akuza të forta ndaj kryebashkiakut Edison Memolla, të cilin e cilëson si një ‘delegat të Bandës 5D’ dhe ‘benjamin të Erion Veliajt’. Sipas Xhaferrit, Bashkia është kthyer në një biznes familjar, ku vendet e punës ndahen mes të afërmve të Memollës nën maskën e “konkurseve”, ndërsa qytetarët e Rrogozhinës paguajnë faturën e korrupsionit me taksat e tyre.
Reagimi i plotë:
Kryebashkiaku i dënuar i Rrogozhinës, Edison Memolla, është aty si i deleguar i Bandës “5D”, me të cilën jemi përballur në zgjedhjet e pjesshme të korrikut 2023, ku rezultati u përcaktua nga presionet me vendin e punës dhe votat e blera nga bedelët e Erion Veliajt, të arrestuar në kuadër të Dosjes “5D”.
Benjamini i Erion Veliajt paska shpikur “Manualin Memolla të Nepotizmit”, ku Bashkia Rrogozhinë, që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, është kthyer në një sipërmarrje familjare, ku të gjitha pozicionet e punës janë “fituar me konkurs” nga pjesëtarët e familjes Memolla.
Ajo çfarë ekspozoi emisioni “Piranjat” nuk është thjesht nepotizëm, por korrupsion i hapur që mbahet gjallë me taksat e qytetarëve të varfër të Rrogozhinës – qytetarë që Edison Memollën e kanë ndëshkuar me votë, por vota e tyre u tjetërsua nga banda elektorale e Erion Veliajt.
KLSH dhe SPAK duhet të zbarkojnë urgjentisht në Bashkinë Rrogozhinë për të ndalur vjedhjen dhe për t’i dhënë fund babëzisë që ka kapluar!