‘Begaj vegël qorre e Ramës’/ Gjin Gjoni flet për hetim parlamentar: PD po përgatit dosje të plotë kundër tij

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ishte i ftuar në edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV. Gjatë intervistës me moderatoren Armela Ferko, ai foli për dekretin e Presidentit të Republikës për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, të cilat u pezulluan nga Gjykata Kushtetuese.

Gjoni akuzoi presidentin se vepron nën urdhrat e kryeministrit Edi Rama dhe se ka humbur çdo pavarësi institucionale.

‘Në deklaratën e presidentit që tha se do të dekretonte përsëri zgjedhjet në Tiranë, tregon se ai është një vegël qorre në duart e Ramës dhe është kthyer në një vegël qorre. Këtë nuk ka njeri në Shqipëri, jo vetëm opozita, por edhe qytetarët e thjeshtë e dinë fare mirë se cili është roli i presidentit dhe çfarë funksioni po kryen,’ u shpreh Gjoni.

Deputeti demokrat shtoi se që në momentin kur qeveria vendosi shkarkimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, avokatët e këtij të fundit kishin paralajmëruar se do ta ankimonin vendimin me argumente kushtetuese dhe ligjore.

‘Që në ditën e daljes së vendimit të qeverisë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, avokatët e tij kanë paraqitur në mënyrë të detajuar se do bënin një ankim me argumente kushtetuese dhe ligjore,’ tha ai.

Sipas Gjonit, një president i matur duhej të kishte pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të ndërmerrte hapin e dekretimit të datës së re të zgjedhjeve.

‘Në këtë pikëpamje, një president i matur që merr përsipër dhe ndërhyrjet e Kushtetueses, dhe në atë kohë u njoftuar se Gjykata kishte marrë në shqyrtim kërkesën e avokatëve të Veliajt dhe duhej të kishte pritur nëse do kishte një pezullim apo nuk do kishte. Vendimet e pezullimit zakonisht merren në mënyrë të menjëhershme dhe shihen argumentet dhe faktet ligjore që kanë paraqitur palët në kërkesë deri në paraqitjen e pretendimeve dhe zhvillimin e debatit në Kushtetuese me pretendimet e secilës palë. Presidentit të Republikës nuk i kushtonte absolutisht as më të voglin tejzgjatje të afateve në rast se do merrte 2-3 ditë kohë, që të priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese që sot ka pezulluar efektet,’ u shpreh deputeti demokrat në SYRI TV.

Gjoni gjithashtu njoftoi se Partia Demokratike ka nisur tashmë procedurat për ngritjen e një dosjeje të plotë ndaj Presidentit Begaj, jo vetëm për dekretet e fundit, por edhe për afera të tjera të pretenduara.

‘PD ka nisur procedurat në lidhje me presidentin jo vetëm për këtë dekret, por edhe dekretimin e Diellës si ministre. Por do e plotësojmë dosjen edhe me elementë të qenies së tij si shef i Shtabit të Ushtrisë dhe aferat korruptive, si baza e Limjonit, do të jenë pjesë e dosjes që do të bëhet,’ tha deputeti i PD-së Gjin Gjoni gjatë intervistës në SYRI TV.