‘Presidenti, kukull e Ramës’/ Paloka: Jetojmë në mbretërinë e Edvinit, Kushtetuta nuk ka më vlerë

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, është shprehur në një intervistë në SYRI TV, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe debatit politik rreth kompetencave të presidentit dhe qëndrimeve të institucioneve.

Sipas Palokës, presidenti është thjesht një vegël në shërbim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa vendimet e drejtësisë i konsideron tërësisht të diktuara politikisht.

Edi Paloka: Sipas tyre, ai më i dituri i të gjithëve, superiori ndaj të gjithëve kishte thënë të kundërtën, por tani sesi do ta zgjidhin midis tyre, është çështje e tyre. Problemi i presidentit nuk besoj që...siç i thanë të gjithë që do të shkelësh Kushtetutën në rast se do të veprosh, po ashtu të gjithë, përfshi edhe mua, të gjithë e dinë se presidenti është thjesht një kukull në duart e Ramës dhe sigurisht do të bënte çfarë i duhej Ramës në atë moment, kështu që, asnjë iluzion e asnjë çudi në atë që ndodhi dhe asnjë pritshmëri pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Shoh që ka nga ata që thonë të japë dorëheqjen presidenti, apo ti kërkojë dorëheqjen këshilltarit. Asnjë nga këto nuk do ndodhi sepse ne jetojmë në mbretërinë e Edvinit dhe as me ligjin dhe as me Kushtetutën nuk ka asnjë lidhje.

Dihet se çfarë do të ndodhë edhe me kërkesën tonë me shkarkimin e Peleshit, dhe me kërkesën për shkarkimin e presidentit. Në rrafshin praktik, këto janë ‘nul’, në rrafshin politik është çështje tjetër sepse kanë domethënien e tyre.

Lidhur me zgjedhjet, sigurisht që vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ndërpret hovin që kishte marrë Rama për këto zgjedhje. Unë gjithmonë që të jem i sinqertë, kam dyshimet e mia për aktet e drejtësisë, të kësaj drejtësie që jam i bindur që vetëm e pavarur nuk është, e ka treguar me dhjetëra raste të tilla.