Sa janë shanset e Shqipërisë për të fituar në Serbi? Silvinjo jep këtë përgjigje

Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet nesër me Serbinë në stadiumin e Leskovacit në orën 20:45.

Ndeshja do të luhet për kualifikueset e Botërorit 2026, Grupi K, ndërsa trajneri Silvinjo doli në konferencën për mediat, ku përsa i përket shanseve të kuqezinjve për fitore, ai tha: “Futbolli është i paparashikueshëm, e përsëris këtë. Për këtë arsye nuk mund të vendosim baste.

Unë jam një trajner, kam qenë lojtar 15-16 vite, me modesti them në nivelet më të larta. Kam bërë një Botëror si asistent dhe një Europian me Shqipërinë. Nuk kam parë kurrë një ndeshje që fitohet pa e nisur.

Kjo është skuadër e fortë me vlerë të rëndësishme individuale në kampionate të rëndësishme. Ne në shtëpi kemi luajtur dhe jemi rritur shumë pas një Europiani ku bëmë eksperiencë.

Çdo gjë mund të ndodhë në 90 minuta, e dimë ne dhe ata, sipas meje nuk ka përqindje, por vetëm të dalësh me intensitet e të luash me zemër e shpirt. Pastaj të shohim, unë kam besim të plotë te skuadra jonë”.