Sistemi i ri i hyrjes/daljes i BE-së lançohet këtë fundjavë. Ja se si duhet të përgatiten udhëtarët
Udhëtarët që hyjnë në Bashkimin Evropian do të përballen me rregulla të reja kufitare nga kjo e diel, 12 tetor, me hyrjen në fuqi të Sistemit të Hyrjes/Daljes (EES) për shtetasit që nuk janë pjesë e BE-së. Sistemi, i vonuar prej kohësh, do të zbatohet gradualisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe synon të forcojë sigurinë kufitare dhe të monitorojë qëndrimet në Zonën Shengen.
Sipas një ankete të publikuar nga Holiday Extras, 82 për qind e të anketuarve pranuan se nuk e kuptojnë plotësisht mënyrën se si funksionon EES, ndërsa 35 për qind nuk ishin në dijeni se ai hyn në fuqi këtë fundjavë. Ndërkohë, pothuajse një në pesë pushues ka ndryshuar ose anuluar planet e udhëtimit për shkak të frikës nga vonesat.
Sipas The Independent, vetëm Estonia, Luksemburgu dhe Republika Çeke do ta kenë gati sistemin për të gjitha mbërritjet dhe nisjet që nga dita e diel. Në Zvicër, EES do të zbatohet fillimisht në aeroportet e Bazelit dhe Gjenevës, ndërsa Cyrihu do ta vendosë më 17 nëntor. Aeroportet e tjera si Lugano dhe Bern do ta implementojnë deri në mars 2026.
Gjermania do ta nisë në aeroportin e Düsseldorf-it, ndërsa Frankfurti dhe Mynihu do të pasojnë më vonë. Spanja do ta testojë sistemin të dielën me një fluturim të vetëm në aeroportin e Madridit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kontrollet e reja do të zbatohen fillimisht për trafikun e mallrave dhe autobusët në Dover dhe Folkestone, ndërsa pasagjerët e makinave do të hyjnë në sistem nga 1 nëntori. Për udhëtarët e Eurostar, kontrollet EES do të aplikohen për klasat biznes e premium nga 12 tetori dhe për pasagjerët e tjerë në janar 2026.
Sistemi i ri kërkon që udhëtarët jo-BE të skanojnë pasaportat dhe të dhënat biometrike nëpër kioska vetëshërbimi, ku informacioni do të ruhet për tre vjet. Kjo pritet të shkaktojë pritje më të gjata në kufij, veçanërisht gjatë fazës së parë të zbatimit.
Drejtoresha e Advantage Travel Partnership, Julia Lo Bue-Said, paralajmëroi se udhëtarët duhet të rezervojnë deri në katër orë shtesë për kontrollet e reja kufitare. Ndërkohë, Eurostar po dyfishon numrin e kabinave manuale dhe stafit kufitar për të shmangur vonesat.
Pas EES, në fund të vitit 2026 do të hyjë në fuqi edhe sistemi ETIAS, që do të kërkojë nga udhëtarët jo-BE të marrin një autorizim udhëtimi përpara se të hyjnë në zonën Shengen, me një tarifë prej 20 eurosh dhe vlefshmëri trevjeçare.
Ekspertët paralajmërojnë se muajt e parë të zbatimit të EES do të jenë një periudhë testuese, me pritje të mundshme dhe konfuzion në pikat kufitare të Evropës.