Pas armëpushimit, palestinezët kthehen në një Gaza të shkatërruar

Palestinezët kanë nisur të kthehen gradualisht në veri të Rripit të Gazës, ndërkohë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka falënderuar presidentin amerikan Donald Trump për rolin e tij në sigurimin e armëpushimit të fundit.

Forcat izraelite janë tërhequr në linjat e dakorduara sipas planit të ndërmjetësuar nga Trump, ka njoftuar ushtria izraelite (IDF), por kanë theksuar se do të vazhdojnë të “eliminojnë çdo kërcënim të menjëhershëm”.

Sipas kushteve të marrëveshjes, grupi Hamasi ka afat deri në orën 12:00 sipas orës lokale të së hënës për të liruar të gjithë pengjet izraelite. Në këmbim, Izraeli pritet të lirojë qindra të ndaluar palestinezë. Marrëveshja parashikon që gjatë 72 orëve të ardhshme të fillojë zbatimi i plotë i këtyre masave.

Qeveria izraelite miratoi fazën e parë të marrëveshjes për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh të propozuar nga Trump. Ndërkohë, pritet që kamionët me ndihma humanitare të hyjnë me ritme të përshpejtuara në territor, për të ndihmuar rreth dy milionë banorët e Gazës, shumica e të cilëve janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Reporterët në terren raportojnë se njerëzit që po kthehen në qytetin e Gazës po përballen me pamje të shkatërrimit të plotë, me shumë prej tyre që duken të dobësuar dhe të kequshqyer, shkruan gazetari Rushdi Abualouf i BBC.