'Presidenti nuk zbatoi Kushtetutën, por urdhrat e Ramës’, Kalaja: Begaj shkeli rëndë ligjin, duhet shkarkuar!
Avokatja Adriana Kalaja, e ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, foli mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit Begaj mbi zgjedhjet në Tiranë, duke e cilësuar atë si një vendim politik të diktuar nga Edi Rama. Sipas saj, Presidenti Bajram Begaj nuk zbatoi Kushtetutën, por urdhrat e Ramës.
Kalaja theksoi se Presidenti Bajram Begaj, me dekretin e tij, jo vetëm ka dalë jashtë kompetencave, por ka kryer shkelje të rënda që kërkojnë nisjen e një procedure shkarkimi në Kuvendin e Shqipërisë një proces që, sipas saj, është tashmë i iniciuar nga Partia Demokratike.
Ajo akuzoi kreun e shtetit se është kthyer në noter të pushtetit dhe se çdo ditë po cënon interesat e vendit përmes vendimeve të pavlefshme dhe politike.
Pjesë nga deklarata:
Ai është një vendim kushtetues, një vendim ligjor i drejtë. Ishte një vendim që nuk kishte nevojë për interpretim, për sa kohë është parashikuar në Kushtetutë dhe për sa kohë një president ilegjitim kërkon të sfidojë Gjykatën Kushtetuese duke shkelur rëndë Kushtetutën dhe duke bërë edhe interpretimin ligjor se kujt duhet t’i drejtohet kërkuesi i caktuar, pa i hyrë emrave se kush është kërkuesi aktual.
Do doja të ishte një vendim i marrë referuar anës profesionale dhe integritetit personal të gjyqtarëve, por në këndvështrimin tim nuk është kështu. Ky është një vendim i marrë me urdhër të Edi Ramës, dhe te gjithë atë tufë sharlatanësh që kanë vendosur t’i shërbejnë Ramës. Unë dua të veçoj vetëm një gjyqtare, zonjën Betja dhe jo për ta veçuar për rastin konkret, por sepse nëse kthehemi pas në kohë, dua të vërtetoj edhe tezën pse ky nuk është vendimi i tyre, apo se si dolën nga strofulla e nënshtrimit ndaj urdhrave të Edi Ramës. Sepse, në të gjitha rastet, duke përfshirë Portin e Durrësit, kemi fakte; duke përfshirë GJDRIN, Butrintin, kërkesa shumë të rëndësishme të PD-së, të cilat jo vetëm janë rrëzuar, por kanë pasur vetëm një votë pro dhe kjo ka qenë vota e zonjës Betja.
Ky është një vendim i marrë nën urdhrat politikë të Edi Ramës, pavarësisht se kështu e parashikon Kushtetuta. Ata s’kanë bërë asgjë më shumë, por Kushtetuta ka parashikuar edhe vendime të tjera.
Kush është elementi i dytë që ka dashur Edi Rama të hedhë në treg?
Elementi i dytë është që t’u tregojë ndërkombëtarëve edhe atyre që janë pjesë e këtyre sharlatanëve të drejtësisë se këtu “reforma në drejtësi” ka dhënë produkt. Që ja, këtu ka dhe një Gjykatë që del kundër tij.
Argumenti i tretë, sipas meje, pse ky vendim është nën urdhrat e Edi Ramës, është se kërkon të krijojë një amulli tek forcat opozitare, për t’u thënë: “Ja, nuk do të ketë zgjedhje në Tiranë. Ja, shiko GJK se si veproi”.
Ndërkohë, unë do të kërkoj falje publike nëse do të tregojë se ky vendim është i gjyqtarëve të GJK-së, dhe jo i kryeministrit, nëse ata më 31 tetor do ta rrëzojnë dekretin.
Për hir të së vërtetës, ata nuk e kanë rrëzuar dekretin, por e kanë pezulluar. Por, në të njëjtën rrugë do të jenë kur ata të rrëzojnë VKM-në, e cila dukshëm është një VKM antikushtetuese, për të cilën ata thjesht duhet të zbatojnë ligjin.
Kjo amulli që do të përcjellë Edi Rama te demokratët, te pjesa që mbështet “D”-në dhe te e gjithë opozita e bashkuar për shkak të kandidimit, ku e gjithë opozita do të mbështesë zotin Binaj…
Nga ana tjetër, nëse do ta lexojmë me kujdes mesazhin që Rama u ka dërguar strukturave që pavarësisht vendimit, “ne do të vazhdojmë punën, se në Tiranë do të ketë zgjedhje” ata janë të bindur se në Tiranë më 31 tetor do të rrëzohet Erion Veliaj. Dhe koha, sa herë, më ka dhënë të drejtë.
Uroj që Presidenti të dalë kundër dekretit, dhe uroj që Rama ta fusë Tiranën në zgjedhje kundër vendimit të GJK-së. Dhe mos harrojmë që ai nuk njeh as ligj, as Kushtetutë. Ai njeh vetëm paktet, marrëveshjet me bandat kriminale dhe krimin e organizuar.
Na duhet të na shqetësojë paturpësia dhe mënyra se si del “Presidenti Begaj i ëmbël”, që del e thotë, “e pi kafen shqeto se jam vetë i ëmbël”. Kuptojeni në çfarë niveli ka arritur Presidenca, dhe thotë “jam krenar për dekretin”, sikur ka bërë akt trimërie.
Ne, përveçse konstatojmë çdo ditë shkelje shumë të rënda të Presidentit, dhe që realisht e meriton një procedurë për shkarkim nga Kuvendi i Shqipërisë procedurë që e ka iniciuar PD nga ana tjetër, mendoj se janë rastet ku, ashtu si për pronat e ushtrisë dhe aktet flagrante në dëm të interesave të Shqipërisë, zoti Bajram Begaj duhet të ishte me kohë para SPAK-ut.