SYRI TV/ ‘Kemi ngritur alarmin, policia asnjë masë’ - Kërcënim në apelin e Tiranës, në Vlorë dhunohet roja

Dy incidente në dyert e gjykatës janë shënuar në orët e fundit. Kërcënimi i një qytetari në Apelin e Tiranës, aty ku 5 ditë më parë u vra gjyqtari Astrit Kalaja, ngriti në këmbë policinë. Roja i sigurisë u kërcënua nga shtetasi Gentian Mali, me fjalët: “Jeni për tu vrarë të gjithë, do t’ju vras të gjithëve, avokatë e gjyqtarë”. Ndërkaq në Gjykatën e Vlorës, avokati Redi Llanaj është konfliktuar fizikisht me rojën e sigurisë, në momentin e kryerjes së kontrollit fizik.

Syri tv

Gentian Mali është emri I të riut që u përplas me rojën e sigurisë në hollin e Gjykatës së Apelit të Tiranës. Ky i fundit nuk e lejoi të futej në seancën gjyqësore të kunatit të tij, që mbahej me dyer të mbyllura, pasi shqyrtohej kërkesa për masë sigurie. Mali ka shpërthyer në ofeza dhe kërcënime me fjalët’ Jeni për tu vrarë të gjithë, me gjyqtare avokatë”.

Kaq është dashur që stafi I gjykatës, të njoftonte policinë e cila mbërriti dhe bëri shoqërimin e Gentian Malit, I cili nuk bëri asnjë rezistencë. I riu ndodhej së bashku me familjarë të tjerë, për të ndjekur gjyqin e kunatit të tij shtetasit L. Vladaj që është arrestuar në qershor të këtij viti në Han të Hotit për llogari të drejtësisë Italiane që e ka dënuar për prostitucion dhe kërkon ekstradimin e tij.

Kjo ngjarje nxori në pah, se pavarësisht mbledhjeve e debateve publike të krerëve të drejtësisë për sigurinë në institucione, askush se ka vënë ujin në zjarr. Burime pranë Apelit të Tiranës konfirmuan se asnjë masë nuk është marrë nga policia pavarësisht kërkesave publike dhe shkresore. Nga e hëna që përgjaku Apelin, ajo që ka ndryshuar, është një skaner dhe detektor i dhuruar nga Gjykata e Posaçme. Dhurata u bë pasi në GJKKO prej muajsh kryhet një rikonstruksion i pjesshëm, teksa në godinën e saj ka instaluar pajisje të reja sigurie.

Pa kaluar shumë orë nga ngjarja në Apel këtë të premte, një tjetër incident u regjistrua në Gjykatën e Vlorës. Një punonjës sigurie në Gjykatën e Shkallës së Parë të këtij qyteti është dhunuar nga një avokat. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të gjykatës, në zonën ku kalojnë personat përmes detektorëve të metaleve.

Sipas burimeve, avokati Redi Llanaj ka kërkuar të hyjë në pjesën ku kontrollohet nga pajisja që mbajnë rojet për metalet, por është penguar nga punonjësi i sigurisë. Pas debatit verbal, situata ka degjeneruar në dhunë fizike ndaj punonjësit të gjykatës. Menjëherë pas incidentit, avokati është shoqëruar në ambientet e policisë për të dhënë shpjegime mbi ngjarjen.