Inceneratori fantazëm/ Rama shkarkoi Veliajn, por s'ndalen milionat për Sharrën! Paguhet fatura e radhës 800 mijë euro
Në një kohë që kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, po intensifikojnë luftën në distancë mes tyre, ajo që duket si afera më e madhe korruptive e organizuar prej të dyve, inceneratori fantazëm i Sharrës, vijon të përthithë qindra milionë lekë nga taksat e publikut.
Të Enjten e kësaj jave, Bashkia e Tiranës, e drejtuar përkohësisht nga Anuela Ristani, ka paguar rreth 780 milionë lekë të vjetra ose rreth 800 mijë euro, për kompaninë “Integrated Technology Service”.
Kompania koncesionare, e administruar nga Agjencia Shtetërore e Pasurive të Sekuestruara ka marrë pagesën e radhës për depozitimin e mbetjeve, megjithëse ajo asnjëherë nuk ka ofruar shërbimin e plotë.
Kontrata koncesionare parashikonte, ndër të tjera, edhe incenerimin e mbetjeve urbane, një shërbim që përfshin pjesën më të madhe të pagesës që kryhet nga Bashkia e kryeqytetit.
Por, siç tashmë është provuar katërcipërisht, impianti i djegies së mbeturinave nuk është ndërtuar kurrë, megjithëse faturat financiare paguhen rregullisht.
Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka administruar prej të paktën 5 vitesh disa kallëzime për atë që konsiderohet si afera korruptive e inceneratorit të Sharrës. Megjithatë, deri më tani, prokurorët e posaçëm nuk kanë guxuar të hetojnë mënyrën se si është hartuar dhe më tej miratuar kontrata koncesionare.
Një mori dokumentash publikë kanë faktuar se projekti i inceneratorit fantazëm të Sharrës është ideuar dhe hartuar nga qeveria e drejtuar nga Rama, si edhe e avancuar më tej nga kryebashkiaku i arrestuar, Veliaj, ky i fundit duke shmangur tërësisht Këshillin Bashkiak.
Megjithatë, deri më tani, Prokuroria e Posaçme ka trajtuar disa elementë periferikë, duke marrë nën akuzë zyrtarë të nivelit të ulët që ishin pjesë e procedurave, si edhe pronarët në arrati të kompanisë “Integrated Energy bv”. Veliaj gjendet prej shkurtit 2025 nën masën e arrestit me burg, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, për çështje që nuk kanë aspak lidhje me inceneratorin fantazëm të Tiranës.