SYRI TV/ Pllakë përkujtimore në ‘Saint-Michel’, Parisi nderon Ismail Kadarenë

SYRI TV

Nga Egla Xhemali

Parisi ka vendosur të nderojë Ismail Kadarenë me një pllakë përkujtimore në bulevardin “Saint-Michel”, në adresën ku shkrimtari shqiptar jetoi dhe krijoi për shumë vite. Vendimi Unanim i Këshillit Bashkiak të Parisit  konsiderohet një homazh për kolosin e letrave shqipe dhe për kulturën shqiptare në tërësi.

Këshilli Bashkiak i Parisit ka marrë një vendim historik për të nderuar shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare, me vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën 63, bulevardi Saint-Michel, aty ku Kadare dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku ai krijoi disa prej veprave më të ndritura të letërsisë së tij. Vendimi u miratua njëzëri nga Këshilli Bashkiak i Parisit, si një homazh i gjallë dhe emocionues për kolosin e letrave shqipe dhe, nëpërmjet tij, për kulturën shqiptare. Lajmin e bëri të ditur Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Francë, e cila në një reagim në rrjetet sociale e cilësoi këtë vendim si “një akt nderimi jo vetëm për Kadarenë, por për mbarë kulturën shqiptare”.

“Këshilli Bashkiak i Parisit i bëri një homazh të gjallë dhe emocionues kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare dhe, nëpërmjet tij, njëkohësisht edhe Shqipërisë dhe kulturës shqiptare, teksa votoi sonte në mbrëmje, me unanimitet, për vendosjen e pllakës me emrin dhe në nderim të Ismail Kadaresë, në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij. Faleminderit Parisit, faleminderit Francës.”

Ky nderim e vendos përfundimisht Ismail Kadarenë në panteonin e personaliteteve që Franca i konsideron pjesë të trashëgimisë së saj kulturore, duke e bërë këtë gjest një urë të fortë mes letërsisë shqiptare dhe asaj evropiane. Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare. Ai mbetet figura më e shquar e letërsisë shqiptare të shekullit XX, dhe një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore evropiane. Ndër veprat e tij më të njohura renditen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave” dhe “Koncert në fund të dimrit”. Krijimtaria e Kadaresë është përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë ‘Prix Mondial Cino Del Duca’ dhe ‘Jerusalem Prize’, duke e bërë atë një ambasador të përjetshëm të kulturës shqiptare në botë.