Konstituohet Kuvendi i Kosovës/ Basha: Rashiq u zgjodh në procedure të rregullt! Lista Serbe kundër
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka hedhur poshtë kritikat për mënyrën e konstituimit të organit ligjvënës dhe veçanërisht për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb.
Në një deklaratë për gazetarët pas përfundimit të seancës, Basha theksoi se procedura ka qenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
“Pasi të gjithë, nëntë kandidatët e Listës Serbe, u hodhën në votim secili nga tre herë dhe dështuan, mbeti vetëm edhe një kandidat Nenad Rashiq nga partia tjetër serbe. Unë me doemos duhej t’ua ofroja mundësinë e barabartë,” tha Basha.
Ai sqaroi se Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton se nënkryetari serb duhet të vijë nga një parti e caktuar, por vetëm se ai duhet të jetë nga komuniteti serb. Për shkak të refuzimit nga deputeti Igor Simiq për ta propozuar Rashiqin, Basha tha se është detyruar të përdorë paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores së Punës së Kuvendit.
Nga ana tjetër, Lista Serbe kundërshtoi ashpër këtë vendim, duke deklaruar se Kuvendi nuk është konstituuar ende, pavarësisht zgjedhjes së Rashiqit si nënkryetar.
“Edhe një herë u dëshmua se drejtësia dhe e drejta nuk ekzistojnë. Sot nuk është përfunduar konstituimi i Kuvendit dhe mos lejoni të ju gënjejnë,” tha deputeti Igor Simiq, i shoqëruar nga kolegët e tij të Listës Serbe në hollin e Kuvendit.
Ai citoi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ku sipas tij, “fituesi i zgjedhjeve nga komuniteti serb duhet të ketë të drejtën ekskluzive për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit për komunitetin serb”.
“Është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit,” shtoi Simiq, duke theksuar se Rashiq është “zgjedhur me forcë si deputet, e tani edhe si nënkryetar”.
Ai shtoi se Lista Serbe do të ankohet për këtë vendim dhe kritikoi faktin se Rashiq nuk ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit para zgjedhjes së tij si nënkryetar Kuvendi.
Nenad Rashiq, nga partia "Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë", është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit në vend të nëntë deputetëve të propozuar nga Lista Serbe, të cilët nuk arritën të zgjidhen pas disa raundeve votimi.
Rashiq ka qenë ministër në qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb duhet të zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 vota), ndërsa propozimi duhet të bëhet me shkrim nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.
Gjykata ka nënvizuar se: “Propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në këtë rast të komunitetit serb, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve të këtij komuniteti.”