SYRI TV/ Rritet çmimi i banesave, ‘fluturojnë’ qiratë - Pësuan rritje të fortë nga janari 2025
Qiratë kanë pësuar një rritje të fortë nga janari 2025 duke u kthyer në përbërësin kryesor të inflacionit në vend. Rritja e çmimeve të banesave dhe kërkesa për AirBNB ka bërë që kërkesa për shtëpi me qira të shtohet ndërsa stoku i banesave vijon të rritet, pasi ndërtimet e reja vijojnë të shtohen.
SYRI TV
Shpenzimet e familjeve për qiratë janë duke u zgjeruar me shpejtësi vitet e fundit. Megjithëse sektori i ndërtimit është në kulm prej vitesh, me shtim të ofertës për banesa, zgjerimi i kërkesës nga turistët dhe mbajtja në stok të pa përdorur e një pjese të objekteve të reja po rrit nivelin e qirave përtej mundësive të qytetarëve me të ardhura mesatare, sidomos në Tiranë, shpjegon Monitor.
Në shtator 2025, përbërësi kryesor i inflacionit ishin çmimet e qirave; më parë, rritja mesatare e çmimeve dominohej nga ushqimet. Në shtator 2025, inflacioni shënoi 2.4%. Në këtë rritje, qiraja kontribuoi me 34.5 pikë përqindje, ushqimet me 26.2 pikë përqindje, ndërsa pjesa tjetër nga grupet e tjera të mallrave të konsumit. Sipas një raporti të mëparshëm të Deloitte, rritja e kërkesës nga turizmi afatshkurtër çoi në rritje të qirave me 20% në fund të vitit 2024, me apartamente njëdhomëshe (1+1) në Tiranë që jepen me 500–800 euro në muaj (rreth 8–12 euro për metër katror).
Të dhënat afatgjata tregojnë se nga viti 2016 deri në pandemi, rritjet vjetore të qirave ishin minimale, duke lëvizur nga 0.0% – 1%. Nga viti 2023 e në vijim, ritmi i rritjes së çmimeve të qirave nisi të përshpejtohet. Gjatë gjithë vitit 2024, indeksi ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke kaluar nga rreth 0.9% në janar, në mbi 3% në pranverë, për të arritur rreth 5.2% në gusht. Në të dhënat e vitit 2025, vërehet se rritja është bërë edhe më e fortë.
Indeksi i çmimeve për qiratë në janar 2025 është rreth 0.9%, por më pas shënon ngjitje të fortë në mars (2.1%), prill (2.5%), maj (3.6%) dhe veçanërisht në verë, ku në korrik arrin 5.4% dhe në shtator 6.6%. Lëvizja e popullsisë drejt zonave urbane, veçanërisht drejt Tiranës, është një shtysë e përhershme për rritjen e qirave në kryeqytet.