Asnjë masë sigurie shtesë/ Tjetër incident tek Gjykata e Apelit, qytetari: Jeni për tu vrarë të gjithë...

Një tjetër incident është regjistruar në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Aty ku pak ditë më parë u vra me armë zjarri në sallën e gjyqit, gjyqtari Astrit Kalaja.

Një shtetas është shoqëruar në polici pas një përplasje me punonjësit e sigurisë.

Kishte gjyq kunati i tij, njofton gazetari i Syri tv Fajton Gjinaj, dhe nuk u lejua të futet pasi seanca zhvillohet me dyer të mbyllura. “Jeni për tu vrarë të gjithë, do tu vras të gjithëve, avokatë e gjyqtarë”.

Burime nga gjykata e Apelit të Juridiksionit të përgjithshëm, bëjnë me dije se pavarësisht ngjarjes së 6 tetorit, asnjë masë nuk është marrë. Gjykata e Posaçme ka dhuruar së fundmi një skaner, dhe pas ngjarjes, janë vetë administrata që po kontrollon palët në hyrje.

I shoqëruari është shtetasi Gentian Mali. Kunati i tij  kishte sot seancën në gjykatën e Apelit për njohje të vendimit penal të huaj, pasi ishte arrestuar për një vepër penale të kryer jashtë shtetit.

Shtetasi Lazër Vladaj, alias Cristian Manea që kishte gjyqin sot, në muajin qershor 2025 është arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, njofton Gazetari i Syrit Elton Qyno. 44-vjeçari, i cili u arrestuar në pikën kufitare Hani i Hotit, është dënuar nga autoritetet italiane për shfrytëzim prostitucioni në bashkëpunim.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Peruxhias, në Itali, e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni në bashkëpunim”, parashikuar nga Kodi Penal italian.