‘Të jesh a të mos jesh’, Serbia para provës së zjarrit, Stojkovic në kufirin mes suksesit dhe dështimit

Ndeshja e së shtunës ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë është më shumë se një sfidë e zakonshme kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ajo përfaqëson një moment kritik për kombëtaren serbe dhe, në veçanti, për trajnerin Dragan Stojković, i cili po përballet me ndoshta periudhën më delikate të karrierës së tij në stolin e përfaqësueses.

Një ndeshje që mund të vendosë fatin e gjithë ciklit

Serbia gjendet në një situatë ku një rezultat i vetëm mund të përcaktojë jo vetëm renditjen në grup, por edhe të ardhmen e trajnerit. Me Anglinë të paarritshme në krye të tabelës, serbët janë të vetëdijshëm se vetëm shmangia e humbjes ndaj Shqipërisë do ta mbante në rrugën e duhur për “play-off”. Disfata e mundshme do ta komplikonte tej mase situatën, ndaj ky duel konsiderohet i tipit “të jesh ose të mos jesh”.

Një skuadër e gjymtuar dhe trajner nën presion

Lista e mungesave (gjashtë titullarë jashtë për shkak dëmtimesh apo pezullimesh) e vë Stojković-in në pozitë të vështirë. Ai duhet të improvizojë, të përshtatë taktika dhe të ndërtojë një ekip konkurrues në rrethana të papërshtatshme.

Presioni vjen edhe nga Federata Serbe e Futbollit, që nëpërmjet deklaratave të sekretarit të përgjithshëm Branko Radujko ka dërguar një mesazh të koduar, por të qartë: “Fitorja ndaj Shqipërisë është detyrim.”

Ky mesazh, përtej fjalëve burokratike, është një paralajmërim se pozita e trajnerit në stol varet nga rezultati i kësaj ndeshjeje.

Shqipëria, motivim i dyfishtë

Sipas medieve serbe, Shqipëria hyn në këtë takim jo vetëm për objektivat e saj sportive, por edhe me një dëshirë të veçantë për të “penguar” Serbinë në rrugën drejt Botërorit. Ky dimension emocional e bën ndeshjen më të nxehtë dhe më të paparashikueshme, sidomos në një atmosferë ku tensionet sportive ndërthuren me rivalitete historike.

Në aspektin psikologjik, kjo ndeshje është po aq sfiduese sa edhe teknike. Shqiptarët do të kërkojnë të përfitojnë nga presioni që rëndon mbi kundërshtarin, ndërsa serbët duhet të ruajnë qetësinë për të shmangur gabime fatale.

Piksi, “si një mace që gjithmonë mbijeton”

Stojković ëhstë një trajner që di të mbijetojë në situata ekstreme, ndaj në Serbi e konsiderojnë si “një mace që gjithmonë bie në këmbë”. Në të kaluarën, ai ka ditur të dalë nga kriza me fitore të rëndësishme dhe përkrahësit e tij shpresojnë se kjo do të ndodhë edhe tani. Serbia ndodhet në një moment delikat, ku sporti ndërthuret me presionin publik, politik dhe emocional.

Ndeshja ndaj Shqipërisë në stadiumin “Dubočica” është një test për lojtarët, për trajnerin dhe për gjithë strukturën e futbollit serb.