Obsesioni i Putinit për pavdekësinë: Në Rusi, edhe jetëgjatësia është 'çështje familjare'

Në Rusinë e Vladimir Putinit, pavdekësia nuk është vetëm një temë filozofike por një projekt konkret, dhe mbi të gjitha, një “çështje familjare”. Se lideri i Kremlinit është i fiksuar pas jetës së përjetshme, kjo është bërë e qartë publikisht më 3 shtator në Pekin, gjatë një bisede spontane të kapur nga një mikrofon i hapur mes tij dhe presidentit kinez Xi Jinping.

Teksa të dy liderët tashmë në të 70-at ecnin drejt tribunës, Xi i thotë Putinit:

Dikur njerëzit rrallë jetonin mbi 70 vjeç, tani në këtë moshë, je ende fëmijë.”

Putini, me një buzëqeshje të fshehtë, ia kthen: “Organet njerëzore mund të transplantohet vazhdimisht, aq sa njerëzit mund të rinovohen dhe madje të bëhen të pavdekshëm.”

Ky shkëmbim, i cili zgjati më pak se një minutë, u përhap në shumë media ndërkombëtare, por u fshi më pas nga interneti pas kërkesës së palës kineze.

Në konferencën për shtyp pas samitit, Putini u rikthye sërish te çështja, duke deklaruar se "është e mundur që brenda këtij shekulli, jeta njerëzore të arrijë deri në 150 vjet". Ai shtoi se mjekësia moderne, veçanërisht transplantet e organeve, mund të shtyjnë ndjeshëm jetëgjatësinë ndonëse në Rusi, jetëgjatësia për burrat është vetëm 68 vjeç.

Por, ambicia e Putinit për të zgjatur jetën nuk është vetëm një dëshirë personale. Sipas një hetimi të “Novaia Gazeta Europa”, në pesë vitet e fundit, investimet shtetërore në kërkimet shkencore për zgjatjen e jetës janë rritur gjashtëfish: nga 7 projekte me një buxhet prej 20 milionë rubla (rreth 200 mijë euro) në vitet 2016-2022, në 43 projekte me 172 milionë rubla (mbi 2 milionë euro) në tre vitet e fundit.

Pas këtyre fondeve, qëndron... vajza e Putinit

Projekti më i rëndësishëm dhe më i financuar ndër këto, ka për titull: “Rregullimi i proceseve të rinovimit të qelizave të trupit bazë për ruajtjen afatgjatë të funksionit të organeve dhe indeve, shëndetit dhe jetëgjatësisë aktive”.

Drejtore e këtij projekti është Maria Vorontsova, endokrinologe 40-vjeçare, e cila është njëkohësisht edhe aksionerja më e madhe dhe drejtuesja e grupit farmaceutik Nomeko, që kohët e fundit bleu të gjitha klinikat dhe qendrat kërkimore të fondit të pensioneve të Gazprom.

Maria Vorontsova është vajza e Vladimir Putinit nga martesa me ish-bashkëshorten Ludmilla. Bashkë me motrën e saj, Katerina Tikhonova, kanë ndërruar mbiemër për arsye sigurie, por identiteti i tyre është i njohur publikisht. Të dyja vajzat janë në rritje të shpejtë të ndikimit publik dhe politik. Pjesëmarrja e tyre në Forumin e Shën Petersburgut në 2024 është konsideruar si sinjal i një përgatitjeje për rol të lartë shtetëror.

Një projekt filozofik? Pavdekësia me bazë “kozmiste”

Por pas këtij obsesioni qëndron dhe një ideologji. Analistët e shohin interesin e Putinit për pavdekësinë si një trashëgimi e “kozmizmit rus” – një filozofi lindur nga shkrimet e Georgy Fiodorov në kohën e Bashkimit Sovjetik, e mbështetur nga regjimi bolshevik.

Kjo utopi besonte se shkenca sovjetike do të lejonte një ditë ngjalljen e të vdekurve, kolonizimin e kozmosit dhe krijimin e një universi socialist e të përjetshëm. Jo më kot, fjalët e para të kozmonautit Yuri Gagarin në hapësirë ishin: "Nuk shoh asnjë Zot. Falënderoj Fiodorovin dhe kozmizmin që jam këtu."

Dhe për të mbyllur me ironi: Ndoshta për ta bërë Putin-in të pavdekshëm, duhet ta dërgojmë në hapësirë... dhe ta lëmë atje.