Rritet numri i personave me probleme të shëndetit mendor në Korçë, mjekët: Të rinjtë dhe fëmijët grupet më të rrezikuara

Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, mjekja Nikolina Bode ka theksuar rritjen e ndjeshme të rasteve me probleme të shëndetit mendor në Korçë, veçanërisht tek grupmosha e të rinjve dhe fëmijët.

Mesatarisht, çdo ditë 10 deri në 15 persona kërkojnë mbështetje për shqetësime si ankthi, depresioni dhe pagjumësia, por një pjesë e madhe e tyre nuk trajtohen për shkak të paragjykimit, kostove dhe mungesës së profesionistëve në shumë zona të vendit.

Fëmijët dhe të moshuarit mbeten grupet më të ndjeshme.

Tek fëmijët po vërehen vonesa në të folur dhe probleme të zhvillimit, ndërsa për moshën e tretë, vetmia dhe mungesa e mbështetjes familjare janë ndër arsyet kryesore të depresionit dhe tentativave suicidale.

LEXO EDHE: Preken 1 në 5 individë! Sot, Dita Botërore e Shëndetit Mendor

Mjekët theksojnë se shëndeti mendor është pjesë e pandashme e mirëqenies së përgjithshme, dhe kërkimi i ndihmës në kohë, kujdesi dhe mbështetja janë thelbësore për një shoqëri më të shëndetshme dhe të balancuar.