KQZ pezullon zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, më 9 nëntor zgjedhje në 5 bashkitë e tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pezulluar çdo veprim për organizimin e këtyre zgjedhjeve në kryeqytet, ditën kur Gjykata Kushtetuese pezulloi zgjedhjet në Tiranë duke rrëzuar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e procesit më 9 nëntor.


Kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi deklaroi se çdo veprim që është marrë për zgjedhjet e Tiranës është pezulluar ndërsa më 9 nëntor do të vijojnë zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera.

'Për zgjedhjet e Tiranës çdo veprim është pezulluar ditën e djeshme. Është e sigurtë që do të zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë e tjera, Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik e Mat" tha ai.

Gjykata Kushtetuese pezulloi dje zgjedhjet në Tiranë duke rrëzuar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e procesit më 9 nëntor. Trupa gjykuese vendosi unanimisht pranimin e kërkesës së Erion Veliajt që kundërshtoi shkarkimin e tij nga Edi Rama. Seanca e parë për shqyrtimin e kërkesës do të mbahet më 31 tetor, ku do të gjykohet vendimi i shkarkimit.