Përfundon 'pauza e fundit', rikthehet Kuvendi për vazhdimin e seancës konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb

Rreth një muaj e gjysmë nga vazhdimi i fundit i seancës konstituive, deputetët e legjislaturës së nëntë do të mblidhen të premten. Për në orën 10, Kuvendi ka caktuar takimin, me një pikë të vetme të rendit të ditës, atë për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Tentativa e radhës për konstituim të legjislaturës do të bëhet pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, në kërkesën e Listës Serbe që kontestoi konstituimin pa zgjedhjen e nënkryetarit të propozuar nga kjo parti.

Të mërkurën, në aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe për konstituimin e Kuvendit, Kushtetuesja nuk ua ka lënë në dorë grupeve parlamentare apo komuniteteve që, duke mos propozuar kandidat për nënkryetar, ta mbajnë të bllokuar punën e organit legjislativ.

Të enjten janë bërë tetë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme. Me zgjedhjen e nënkryetarit serb përmbyllet seanca konstituive e nisur më 15 prill, dhe i hapet rruga procesit për formimin e qeverisë së re.

Prej 8 tetorit ka nisur afati 12-ditor për konstituim të Kuvendit, sipas aktgjykimit që lëshoi Gjykata Kushtetuese. Por, gjykata nuk ka treguar edhe se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët brenda afatit.

Në aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe, Kushtetuesja ka konstatuar se është kushtetues edhe votimi i ndarë për nënkryetarët, e cila ishte kontestuar edhe nga një numër i partive në Kuvend që ose abstenuan në procesin e votimit për nënkryetarin serb, ose nuk votuan fare. Kësisoj, gjykata ka konstatuar se zgjedhja e Emilja Rexhepit për nënkryetare është në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata në arsyetim ka theksuar se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për ta mbajtur të bllokuar konstituimin. Ajo ka elaboruar rrethanën kur Kuvendi mund të funksionojë edhe pa të gjithë nënkryetarët.

Megjithatë Kushtetuesja ka theksuar se në rastin konkret dështimi për konstituim i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për deputetët e propozuar. Në rastet e deritashme nuk kanë votuar deputetët e Lidhjes Demokratike, por edhe ata të Listës Serbe. Në disa raste nuk kanë marrë pjesë në votim as deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.