Kalvar raskapitës për të marë pronën, Myzeqari: Gjyqtari pushoi dosjen me të pandehurën…
Nga Elton Qyno/
Një konflikt për pronësinë e rreth 5 mijë metra katror tokë në zonën qytetin të Fierit, është kthyer për Arben Myzeqarin, në një kalvar raskapitës në dyert e gjykatave dhe prokurorisë.
Që prej muajin Shkurt 2019, ai ka kallëzuar në prokurorinë e Krimeve të Rënda, drejtorin e asaj kohe të Arkivit Qëndror të Shtetit, sot deputetin e PS, Ardit Bido, duke e akuzuar për “Shpërdorim detyre” pasi ka pranuar të fusë në arkivin e shtetit dokumenta falso të ofruara nga shtetësja Sara Resuli.
Njëherësh të kallëzuar kanë përfunduar për akuzën e “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Falsifikim dokumentash”, “Vjedhje” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale” edhe shtetësja Sara Resuli, Kosta Bajraba, Xhevahir Celoaliaj, Durim Cako dhe Vladimir Ikonomi.
Por sipas Arben Myzeqarit, kallëzimi i tij është mosfilluar nga Klodian Braho, prokurori që sot synon të jetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme SPAK.
Ndërkohë përmes një vendimi të Gjykatës, çështja është kthyer sërisht për rihetim në prokurori, ku këtë herë Klodian Braho, ka marë vendimin për shpalljen e moskopetencës duke ja deleguar hetimin e kësaj dosje prokurorisë së Fierit dhe më pas kjo e fundit ia ka transferuar hetimin prokurorisë së Tiranës.
Myzeqari ka treguar për “Syri.net”, se rasti në fjalë është trajtuar nga prokurorja e Tiranës, Sonila Muhametaj alias Domi, e cila pas disa kohë hetime konstatoi se personi që ka kryer falsifikimin e dokumentave, një tapi të vitit 1921 dhe më pas e ka futur në Arkivin Qëndror të Shtetit, ishte pikërisht Sara Resuli.
Kjo e fundit njihet në qytetin e Fierit për një seri procesesh gjyqësore me objekt tjetërsimin e pronave në Fier dhe bregdetin e Fierit.
Sipas Myzeqarit, Sara Resuli u mor e pandehur për akuzën e “Falsifikimit dhe përdorimit të dokumentave”, ndërkohë ndaj saj u vendos dhe masa e sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Por teksa çështja kaloi në gjyq dhe veprimet hetimore të prokurorisë së Tiranës ishin në fazën e diskutimit në seancë paraprake nga gjyqtari Edvan Velçani, ky i fundit në datën 31 Tetor 2024, ka vendosur pushimin e çështjes duke argumentuar se “…jemi para faktit të gjësë së gjykuar më parë nga gjykatat e Fierit dhe Apelit Vlorë…”.
Njëherësh gjyqtari Velçani, nuk pranoi të asgjësojë dokumentat e falsifikuara që prokuroria e Tiranës, i konstatoi si të tilla përmes një akt-ekspertimi të kryer nga policia shkencore.
Por me këtë vendim nuk është dakordësuar prokurorja Sonila Muhametaj, e cila tashmë ka Apeluar vendimin e dhënë nga Velçani, duke kërkuar kalimin e çështjes në seancë gjyqësore me të pandehur Sara Resulin.
Sipas Arben Myzeqarit, “…rasti po zgjatet dhe po zgjatet në mënyrë të qëllimshme në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila nuk ka marë një vendimarje për çështjen ku ai është kallëzues…”.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se Sara Resuli ka falsifikuar një dokument të vitit 1921 që quhet “Vërtetim Zotnimi” (Tapinë).
Kjo pasi sipas aktit të ekspertimit, 3 nga elementët e dokumentit, modelimi, dorëshkrimi dhe nënshkrimi, rezultojnë të mos jenë të njëjta me dokumentet origjinale të modeleve krahasuese.
Më pas Resuli këtë dokument e ka futur në Arkivin Qendror të Shtetit dhe përdorur duke marrë prona në qytetin e Fierit.
Një ndër pronat që ajo ka tjetërsuar dhe më pas shitur është dhe pasuria e kallëzuesit, Arben Myzeqari.