Gaza/ Ushtria izraelite nis tërheqjen por sulme ka ende! Hamas thirrje banorëve të shmangin zonat kufitare
Ushtria izraelite (IDF) ka njoftuar se ka nisur tërheqjen nga qyteti i Gazës dhe nga kampi Al-Shati — raporton portali izraelit Walla News.
Sulme të reja
Por pavarësisht shpalljes së një marrëveshjeje për armëpushim mbrëmjen e djeshme, forcat izraelite kanë bombarduar sot në agim qytetin Khan Yunis në Rripin e Gazës — njofton agjencia palestineze Wafa.
Sipas raportimeve, zona e goditur është ajo e Al-Katibës, në qendër të qytetit, në jug të Rripit. IDF-ja thuhet se ka përdorur dronë dhe artileri gjatë sulmeve.
Nga ana e saj Mbrojtja Civile Palestineze, e drejtuar nga Hamas, u ka bërë thirrje banorëve të Gazës që të shmangin zonat ku kanë qenë të pranishme forcat izraelite.
Në një postim në Telegram, zëdhënësi i saj ka theksuar se qytetarët duhet të qëndrojnë larg veçanërisht zonave kufitare të qytetit të Gazës, derisa të shpallet zyrtarisht se Izraeli është tërhequr plotësisht.
“Shkelja e këtij paralajmërimi rrezikon jetën tuaj,” thuhet në deklaratë.
Qeveria e Izraelit ratifikoi mëngjesin e së premtes një marrëveshje për armëpushim me grupin militant palestinez Hamas, duke hapur rrugën për ndalimin e luftimeve në Gazë brenda 24 orëve dhe lirimin e pengjeve izraelite nga enklava palestineze brenda 72 orëve.
Në kuadër të marrëveshjes, ushtria izraelite do të tërhiqet në një vijë që do ta lërë nën kontroll rreth 53% të territorit të Gazës, ndërsa Hamas do të duhet të lirojë 20 pengje të gjalla brenda 72 orësh.
Shefi i Hamasit për Gazën, i cili jeton në mërgim, Khalil Al-Hayya, tha se ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetës të tjerë se lufta ka përfunduar.
Besohen 20 pengje izraelite janë ende gjallë në Gazë, ndërsa 26 të tjera mendohet se kanë vdekur, dhe fati i dy të tjerëve mbetet i panjohur.
Një burim palestinez i ka thënë BBC-së se, në këmbim, Izraeli do të lirojë rreth 250 të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite dhe 1,700 të ndaluar nga Gaza.
Sipas OKB-së, qindra kamionë ndihmash do të futen gjithashtu në territor për të dërguar ushqim, ilaçe dhe karburant për rreth 2 milionë banorët e Gazës, shumica e të cilëve janë zhvendosur nga lufta.