Ç'mund të na mësojë Jane Austen për marrjen e prapaveprimeve
Nga Sarah O'Connor
Fjala prapaveprim mund të përshkruajë qoftë një tingull të pakëndshëm gumëzhitjeje ose fishkëllime që prodhohet nga një amplifikator, qoftë një opinion për atë nëse diçka është e mirë apo jo. Në botën moderne, sasia e madhe e këtij të fundit fillon të duket pak si i pari. Ne jetojmë në një kakofoni prapaveprimesh. Pritet t'i japim ato pas çdo pushimi, vakti ose dërgese në derën tonë. Pritet t'i marrim nga shefat, nga kolegët, dhe, për këdo që nxjerr një produkt, shërbim ose përpjekje krijuese në botë, nga të panjohur që botojnë opinionet e tyre online.
Nëse gjithë këto prapaveprime në fakt e bëjnë dikë të ketë rendiment më të mirë, kjo mbetet shumë e paqartë. Përgjigjja nga literatura akademike mund të përmblidhet kështu: varet. Një meta-analizë e qindra eksperimenteve zbuloi se në 38 për qind të rasteve, prapaveprimet jo vetëm që nuk përmirësuan rendimentin, por madje e përkeqësuan atë. Instituti i Certifikuar i Personelit dhe Zhvillimit, organi profesional i HR-së në MB, e ka përmbledhur kërkimin mbi atë çfarë funksionon në kontekstin e punës: në mënyrë që prapaveprimi të jetë i dobishëm, ai duhet të jetë "specifik, i lidhur me punën, konstruktiv, i besueshëm dhe i paanshëm". Por jo çdo shef apo koleg vepron sipas kësaj, dhe është e kotë të presësh diçka të tillë nga publiku i gjerë. Mjerë romancieri që merr një recension me një yll në Amazon nga një lexues vetëm sepse korrieri i shpërndarjes u vonua.
Të mundesh të kalosh në këtë botë me zhurmë prapaveprimesh pa humbur mendjen ose motivimin është një aftësi e rëndësishme jetësore. Por si? Si dikush puna e të cilit është ekspozuar ndaj komenteve publike dhe anonime për gati dy dekada, mendoj se jam e kualifikuar të jap disa këshilla (shumicën prej të cilave i kam mësuar me vështirësi, dhe shumë prej tyre ende nuk arrij t'i zbatoj gjithmonë). Gjithashtu kam marrë pak urtësi nga një burim i pazakontë: Jane Austen, e cila i merrte prapaveprimet aq seriozisht sa i mblidhte dhe i transkriptonte opinionet e atyre që lexonin romanet e saj.
Pse e bënte këtë? Për të njëjtën arsye që mendoj se ia vlen t'u kushtojmë vëmendje prapaveprimeve sot, sidomos për diçka që e ke nxjerrë në botë: kurioziteti për prapaveprimin e njerëzve. Në fund të fundit, nëse nuk doje të arrije tek njerëzit, ç'kuptim kishte? Sipas biografes së Austen-it, Claire Tomalin, shkrimtarja ishte "mjaftueshëm e shkëputur sa të shkruante si vërejtjet e pasjellshme, ashtu edhe lëvdatat, pa shtuar asnjë përgjigje mbrojtëse të sajën". Ishte gati sikur ajo krijoi versionin e vet të seksionit të komenteve të lexuesve online. Dhe ndërsa anëtarët e familjes dhe të njohurit që i jepnin prapaveprime nuk ishin anonimë, ata nuk ngurronin nga kritika. Austen shënoi, për shembull, se e ëma e saj e gjente protagonistin e Mansfield Park "të plogësht", ndërsa një i afërm tjetër "nuk mund ta duronte" atë.
Ndonjëherë, kritika mund të të mësojë diçka të dobishme, sidomos nëse vjen nga dikush që e respekton, ose nëse shumë njerëz reagojnë në të njëjtën mënyrë. Nëse një numër i madh njerëzish e kanë keqkuptuar idenë tënde, gjasat janë se nuk e ke shpjeguar mjaft mirë. Nëse shumë njerëz janë ofenduar, gjasat janë që ke qenë ofendues. Një herë, pa dashur, mërzita një numër njerëzish nga Islanda me një shprehje të shkujdesur. Siç më tha shefi im ditën tjetër: "Është në rregull të ofendosh njerëz, por vetëm nëse e bën me qëllim."
Megjithatë, kritikat dashakeqe ose të përtacisë duhet të shpërfillen. Mund të të ngushëllojë fakti se edhe Austen-it i duhej të përballonte ca të tilla. Një e njohur, sipas shënimeve të saj, "lexoi vetëm kapitullin e parë dhe të fundit të Emma-s sepse kishte dëgjuar që nuk ishte interesante". Shpresoj të ketë qeshur kur e shkroi këtë.
Kjo më çon te këshilla ime e fundit: të nxjerrësh atë që është e dobishme nga prapaveprimet pa i ngatërruar ato me një vlerësim të saktë për sa i mirë është puna jote (dhe sigurisht jo për sa i mirë je ti). Së pari, çdo prapaveprim që të arrin është vetëm një kampion i vogël dhe jo përfaqësues i asaj se si njerëzit u ndjenë për punën tënde. Së dyti, thjesht nuk është e mundur t'i kënaqësh të gjithë. Mund të kënaqësh vetëm veten. Siç thotë heroina e titulluar e Austen-it te Emma: "Gjysma e botës nuk mund të kuptojë kënaqësitë e gjysmës tjetër."
Emma, sigurisht, tani vlerësohet gjerësisht si "libri më i përsosur" i Austen-it, sipas biografes së saj, "i realizuar pa asnjë të metë nga konceptimi deri në fund". Megjithatë, prapaveprimet që Austen-i mori për romanin në atë kohë ishin disi ndryshe. Nga 43 opinionet që ajo shënoi, 12 ishin armiqësore, gjashtë e lavdëronin pa rezerva dhe 17 thoshin se parapëlqenin Krenari dhe paragjykim. Mund të shpresojmë vetëm se Austen i ka marrë prapaveprimet në një mënyrë siç aspirojmë të gjithë: seriozisht, por jo tepër seriozisht. / Financial Times - Syri.net