VIDEO/ Tomorri: Kryeministri s’e duron dot drejtësinë kur i del përballë, Sulltanët s’pranojnë njerëz të pavarur

Gazetari Klodian Tomorri ishte i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ku u diskutua për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pezulloi dekretin e presidentit për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në Tiranë.

Tomorri e cilësoi situatën si paradoksale, duke theksuar se vendimi i Gjykatës është vetëm një kthim në normalitetin kushtetues, por që për vendin tonë po shihet si fitore e madhe.

‘Qesharak është fakti që ne sot diskutojmë dhe gëzohemi që Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim për të ndaluar një akt antikushtetues që është gjëja më minimale. Të gjithë e kishin të qartë që dekreti i presidentit ishte antikushtetues. Arriti çmenduria deri aty sa, interpretohej Kushtetuta në funksion të ligjit të qeverisjes vendore. Pra u përmbys hierarkia.’

Sipas gazetarit, vendimet e tilla tregojnë se sistemi i drejtësisë po vuan pasojat e reformës së dështuar që ka prodhuar më shumë pasiguri sesa drejtësi.

‘Kjo është vetëm një nga sëmundjet e gjithë kësaj situate, apo një nga pasojat e rënda të kësaj të ashtuquajturën reformë në drejtësi, të cilat çdo qytetar i ndjen sot.’

Tomorri akuzoi kryeministrin se ka krijuar një marrëdhënie konfliktuale me çdo institucion që nuk i shërben interesave të tij personale.

‘Kryeministri pastaj ka një raport problematik me çdo gjë që nuk i shkon për shtat interesave të tij. Ai është mësuar të ketë pushtet absolut dhe nëse del një prokuror në një cep të Shqipërisë, apo merr një vendim që ndalon një çmenduri, apo merr një vendim që nuk i pëlqen kryeministrit, ky të nxjerr në faqen e tij në Facebook. E ka nxjerrë prokurorin me emër mbiemër dhe me fytyrë duke i lëshuar turmat.’

Gazetari kritikoi edhe vonesën e reagimeve nga ana e institucioneve të drejtësisë ndaj sulmeve publike të kryeministrit.

‘Kjo që bën sot Sokol Sadushi sot, janë shumë të vonuara sepse, gjyqtarët, prokurorët apo të gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë duhej të kishin reaguar shumë kohë më parë ndaj të gjithë atyre sulmeve apo fletërrufeve të kryeministrit.’

Në mbyllje, Tomorri tha se kryeministri e percepton pushtetin si pronë personale dhe e sheh çdo akt pavarësie si sfidë ndaj vetes.

‘Kemi arritur në këtë pikë se kemi një kryeministër që i duket sikur i takon ky pushtet dhe kur dikush i del përpara, ky i duket sikur dikush po i hyn në hak. Sulltanët dhe despotët nuk mund të pranojnë njerëz të pavarur të cilët mbrojnë ligjin duke i dalë ndesh vendimeve apo interesave të tij.’, tha gazetari Klodian Tomorri në SYRI TV.