Dogan shpallet fajtor edhe në Apel, i rritet dënimi për abuzimin e Gisele Pelicot

Husamettin Dogan është shpallur fajtor edhe në apel për përdhunimin e Gisele Pelicot. Dogan apeloi vendimin që e dënonte me 9 vite burg për përdhunimin e Pelicot e cila u drogua nga bashkëshorti me qëllim abuzimin e saj nga persona të shumtë ndërvite.

Dogan u përball me një rigjykim këtë javë në gjykatën e apelit të Nimes. Një juri prej pesë burrash dhe katër grash, së bashku me tre gjyqtarë, e shpallën Dogan fajtor të enjten për përdhunimin e Pelicot në dhomën e saj të gjumit në Francën jugore në orët e para të 29 qershorit 2019. Dogan kishte kontaktuar me bashkëshortin e Gisele, Dominique Pelicot i cili po kërkonte burra që të shkonin në shtëpinë e tij për të përdhunuar gruan pasi e kishte droguar.

Dominique Pelicot, një nga shkelësit më të këqij seksualë në historinë moderne franceze, u dënua me 20 vjet burg vitin e kaluar. Pesëdhjetë burra të tjerë u shpallën fajtorë në një gjyq të profilit të lartë vitin e kaluar, dhe Dogan ishte i vetmi burrë që apeloi kundër dënimit të tij. Ai u dënua fillimisht me nëntë vjet burg, një dënim që u rrit të enjten në 10 vjet. Prokurori kryesor i shtetit, Dominique Sie argumentoi se ai duhet të vuajë 12 vjet burg, sepse 44-vjeçari refuzon të marrë përgjegjësinë lidhur me aktin që ka kryer.