Besart Xhaferri: Kryeministri përdori Presidentin, ‘kukullën’ e tij për shkeljen e Kushtetutës

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar sot zgjedhjet vendore në Tiranë, duke rrëzuar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e procesit më 9 nëntor.

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, në studion e “Taske Force” në Syri TV, deklaroi se Presidenti Begaj është në shkelje kushtetuese, sipas tij si një “kukull” i përdorur nga kryeministri Rama.

“Presidenti i Shqipërisë është në shkelje kushtetuese që kur Gjykata nuk njohu vakancën. Gjykata Kushtetuese tha që ne do ta shqyrtojmë vakancën, kështu që nuk duhet të shpallim zgjedhjet. Këtu është shkelja kushtetuese e Presidentit, që shpalli ditën e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.

Kjo e sotmja është pezullimi i shkeljes së tij kushtetuese. Nuk është pezullim dekreti. Fakti që nuk shfuqizon zgjedhjet është sepse ende Gjykata kushtetuese nuk është shprehur për vakancën”, tha fillimisht deputeti demokrat.

Më tej Xhaferri theksoi: “Qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë që opozita nuk po trembet nga zgjedhjet dhe nuk po mbron që të mos ndodhin zgjedhjet, apo nuk po mbron Erion Veliajn që të rrijë akoma në krye të Bashkisë. Opozita ka një detyrë kushtetuese nga zgjedhësit e saj që të mbrojë Kushtetutën e Shqipërisë.

Për interes të opozitës shqiptare zgjedhjet duhet të kishin ndodhur që në shkurt, mars, apo më herët se tani për Bashkinë e Tiranës.

Kryeministri po përdor kukullën e tij, Presidentin, për shkeljen e Kushtetutës.

Ne si opozitë do të futemi në zgjedhje. Nuk ka dekret të dytë presidencial për të pranuar zgjedhjet. Sot teknikisht kalon te kryetari i KQZ-së. Një gjë të jetë e qartë se në këtë vend nuk ka më garanci për Kushtetutën. Ne jemi të bindur se kandidati i pavarur që mbështetet nga Partia Demokratike, do ta ketë fitoren kurdo që të zhvillohen zgjedhjet”.