Komisioni Evropian nis hetim pas akuzave për rrjet spiunazhi hungarez në Bruksel

Komisioni Evropian ka nisur një hetim zyrtar pas raportimeve në media se shërbimet sekrete hungareze kanë tentuar të rekrutojnë punonjës të institucioneve të BE-së në Bruksel për t’i përdorur si informatorë. Sipas burimeve, rrjeti i dyshuar i spiunazhit ka vepruar nën mbulesën diplomatike të Përfaqësisë së Përhershme të Hungarisë në BE, e cila në atë periudhë drejtohej nga Olivér Várhelyi, aktualisht Komisioner Evropian.

Raportet e publikuara nga mediat Direct36, Paper Trail Media dhe De Tijd pretendojnë se agjentët e fshehtë hungarezë u prezantuan si diplomatë dhe synuan stafin hungarez në Komisionin Evropian që kishte akses në dosje të ndjeshme. Një prej agjentëve dyshohet se ka punuar brenda Komisionit me çështje sigurie dhe të dhëna konfidenciale.

Zëdhënësi i Komisionit, Balázs Ujvári, konfirmoi se institucionet evropiane po marrin masat e nevojshme për të mbrojtur stafin dhe informacionet nga çdo aktivitet i paligjshëm i mbledhjes së inteligjencës. “Ne do të ngremë një grup të brendshëm për të hetuar këto akuza”, deklaroi ai, duke theksuar se hetimi është në fazat e para.

Pjesa më e madhe e aktiviteteve të dyshuara thuhet se ka ndodhur midis viteve 2012 dhe 2018, kur marrëdhëniet mes Budapestit dhe Brukselit ishin të tensionuara për shkak të çështjeve që lidhen me sundimin e ligjit dhe lirinë e medias. Nga viti 2015 deri më 2019, Përfaqësinë e Hungarisë e drejtonte pikërisht Olivér Várhelyi, i cili sot mban postin e Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim.

Zëdhënësi Ujvári tha për Euronews se gjatë verifikimeve të vitit 2019, kur Várhelyi mori lejen e sigurisë për të qenë pjesë e Komisionit Evropian, “nuk ekzistonte asnjë informacion i tillë” mbi këto akuza. Ai shtoi se të gjithë komisionerët i nënshtrohen kontrollit të plotë të sigurisë dhe seancave dëgjimore në Parlamentin Evropian.

Ndërkohë, Parlamenti Evropian nuk ka komentuar ende mbi rastin, por nënvizoi se po monitoron vazhdimisht kërcënimet ndaj sigurisë dhe po zbaton masa shtesë për parandalimin e incidenteve të ngjashme.

Përfaqësia e përhershme e Hungarisë në Bruksel nuk ka reaguar deri tani ndaj akuzave. Ish-zëvendësministri i jashtëm hungarez dhe eksperti i politikës së jashtme István Szent-Iványi e quajti çështjen “skandaloze”, duke thënë se ajo tregon se “Hungaria i sheh institucionet e BE-së si armiq”. Ai paralajmëroi gjithashtu se rasti mund të krijojë mosbesim ndaj punonjësve hungarezë në institucionet evropiane.