SYRI TV/ Gjykata Kushtetuese pezullon zgjedhjet pjesshme në Tiranë, rrëzon dekretin e Presidentit Begaj

Nga SYRI TV

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar sot zgjedhjet në Tiranë, duke rrëzuar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e procesit më 9 nëntor. Trupa gjykuese vendosi unanimisht pranimin e kërkesës së Erion Veliajt, që kundërshtoi shkarkimin e tij nga Edi Rama. Seanca e parë për shqyrtimin e kërkesës do të mbahet më 31 tetor, ku do të gjykohet vendimi i shkarkimit. Me këtë vendim paraprak të Kushtetueses, pritet që KQZ të pezullojë procesin deri në vendimmarrjen përfundimtare.

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Erion Veliajt, duke pezulluar dekretin e Presidentit të Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë. Trupa e Gjykatës Kushtetuese u mblodh këtë të enjte dhe vendosi në mënyrë unanime të pranojë kërkesën e Erion Veliajt për të pezulluar dekretin e Presidentit, derisa gjykata të shprehet lidhur me shkarkimin e tij. Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë seancë publike për ankimimin e Veliajt më datë 31 tetor.

Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë.

Pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës shkarkoi Erion Veliajn nga posti i kryebashkiakut dhe pasi vendimi u firmos nga Kryeministri Edi Rama, Presidenti Begaj vendosi të dekretojë datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, pavarësisht se Kushtetuta e përcakton qartë se në rast procesi ankimimi, vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin pezullohet.

Por pavarësisht se Begaj zbatoi urdhrin e Ramës, me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ndërpresë përgatitjet dhe punën për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës, pasi dekreti i Presidentit për këtë pikë është pezulluar.

Me vendimin e sotëm pritet që më 9 nëntor të shkojnë në zgjedhje pesë bashkitë e tjera pa kryetar, ndërsa fati i zgjedhjeve në kryeqytet është tashmë në pikëpyetje.