Berisha: Gjykata Kushtetuese ka pasur vendim mjerane, sot mbrojti rendin kushtetues. Begaj s' ka integritet për dorëheqje
Teksa u pyet lidhur me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë, kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se me vendimmarrjen e kësaj të enjteje, trupa e gjyqtarëve, mbrojti rendin kushtetues.
Pavarësisht vendimeve mjerane ndër vite, Berisha tha se me vendimmarrjen e pezullimit të dekretit të Begajt, Kushtetuesja meriton të vlerësohet.
‘Këtë vendim unanim, edhe njëherë e theksoj, është në meritë e tyre sepse ai ishte një poshtërim që ju bë dhe rendit kushtetues dhe gjykatës’, u shpreh Berisha.
Pyetje: Para këtij vendimi, në rastet kur Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar paditë e PD, ju e keni konsideruar si të kontrolluar nga Edi Rama. Sot nga kush është e kontrolluar Kushtetuesja?
Sali Berisha: Shiko, që ka patur vendime që Gjykata Kushtetuese i ka mjerane, këtë nuk mund ta mohoj. Nuk ka mbrojtur veten.
Por nëse Gjykata Kushtetuese vendos të mbrojë Kushtetutën ne nuk kemi pse të mos e vlerësojmë Kushtetuesen.
Këtë vendim unanim, edhe njëherë e theksoj, është në meritë e tyre sepse ai ishte një poshtërim që ju bë dhe rendit kushtetues dhe gjykatës.
Dilte ky, ma tha stafi thoshte ai. Çfare stafi..
Pyetje: A duhet të japë dorëheqjen Begaj?
Sali Berisha: Po ku ka integritet për dorëheqjen. Ai duhet shkarkuar.