Gjyqtarët pas vrasjes së Astrit Kalasë: Pa siguri në gjykata, drejtësia e dënuar të vdesë! Shteti të marrë përgjegjësi

Pas përfundimit të mbledhjes së gjyqtarëve, në një deklaratë për mediat ata theksuan se ngjarja tragjike e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja është një alarm i qartë për nevojën urgjente për përmirësimin e sigurisë në institucionet e drejtësisë.

Gjyqtarët shprehën dhimbjen e thellë dhe kërkuan masa konkrete, përfshirë krijimin e një force të posaçme sigurie në gjykata, miratimin e protokolleve të reagimit ndaj incidenteve dhe përmirësimin e kushtetut të punës në ambientet gjyqësore. Ata kërkuan gjithashtu ndërhyrje ligjore për të garantuar mbrojtjen fizike dhe kushtet e punës së tyre, duke theksuar se kjo është detyrim kushtetues i shtetit.

Gjatë dekkaratës ata evidentuan shqetësimet për mungesën e mbështetjes institucionale dhe ambientet e amortizuara që rrezikojnë seriozisht funksionimin e drejtësisë në vend. Gjyqtarët kërkuan nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Kuvendi dhe Qeveria që të marrin masa konkrete dhe të menjëhershme për të garantuar sigurinë dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet e punës.

Ata paralajmëruan se nuk do të pranojnë më asnjë kompromis në sigurinë dhe dinjitetin e tyre, duke kërkuar përgjegjësi dhe veprim konkret nga të gjitha institucionet përgjegjëse.

Deklarata e Plotë:

Në këtë ditë të rëndë për drejtësinë shqiptare, gjyqtarët e Republikës, të bashkuar në një zë, shprehin dhimbjen e thellë, tronditjen njerëzore dhe indinjatën institucionale për ngjarjen tragjike që i mori jetën kolegut tonë, gjyqtarit Astrit Kalaja.

Kjo nuk është vetëm humbja e një njeriu të drejtësisë, por është një plagë për gjithë sistemin, një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Vrasja e një gjyqtari në sallën e gjykatës është kufiri i fundit të cenimit të sigurisë dhe dinjitetit të drejtësisë.

Në këtë moment dhimbjeje e reflektimi, ne deklarojmë me vendosmëri:
Drejtësia nuk do të përkulet.

Asnjë akt dhune, kërcënimi apo fushatë urrejtjeje nuk do ta ndalë gjyqtarin shqiptar nga përmbushja e detyrës së tij kushtetuese. Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj, por garanci për çdo qytetar që kërkon mbrojtje përmes ligjit.

Ngjarja e rëndë është pasojë e një klime të helmuar fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve, e ushqyer nga gjuha e urrejtjes dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme që kanë minuar besimin publik. Kjo klimë duhet të marrë fund.

Ne, gjyqtarët e Republikës, nuk do të lejojmë më që heshtja të interpretohet si dobësi. Do të reagojmë me dinjitet dhe përgjegjësi. Nuk kërkojmë privilegje kërkojmë siguri, respekt dhe kushte për ushtrimin e ndershëm të detyrës.

Kjo ngjarje është një thirrje për veprim institucional. Sistemi gjyqësor po përballet me mungesë sigurie, godina të amortizuara, ngarkesa të papërballueshme pune dhe mungesë mbështetjeje. Drejtësia ka nevojë për forcim, për kushte të sigurta dhe për institucione që veprojnë, jo që heshtin.

Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të reagojë me forcë, përgjegjësi dhe guxim institucional. Kjo nuk është thirrje për konflikt, por për përgjegjësi.

Po kështu, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të marrin përgjegjësinë për gjendjen ku ndodhet sot drejtësia. Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj. Siguria në gjykata është kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës.

Në këtë frymë reflektimi dhe uniteti, Mbledhja e Gjyqtarëve të RSH shpreh vullnetin e qartë për këto angazhime:

Siguria gjyqësore

Krijimi i një grupi ndërinstitucional me përfaqësim nga KLGJ, KLP, MD, MB, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për organizimin e një Forumi Kombëtar për Sigurinë Gjyqësore.
Hartimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë e Gjyqtarëve dhe Gjykatave.
Vendosja e një force të posaçme sigurie në gjykata dhe ndërtimi i protokolleve të reagimit ndaj incidenteve.
Hartimi dhe zbatimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë Gjyqësore.
Miratimi dhe zbatimi i menjëhershëm i masave konkrete për garantimin e sigurisë fizike në gjykatë dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor.
Ndërhyrjet e menjëhershme në ligje ose akte nënligjore që rregullojnë sistemin gjyqësor për të garantuar siguri fizike, jetësore, shëndetësore dhe pasurore për gjyqtarët dhe stafin e gjykatave.
Miratimi i një strategjie kombëtare për ndërtimin e godinave të gjykatave në të gjithë territorin e RSH.
Inspektimi kombëtar i gjykatave për siguri, akses dhe kushte pune. Standardizimi i procedurave të sigurisë dhe trajnime për menaxhimin e krizave. Pajisja e të gjitha gjykatave me skaner dhe detektor për garantimin e sigurisë në gjykata.

2. Përfaqësimi institucional dhe organizimi i brendshëm

Krijimi i dy grupeve të përhershme pune pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për ideimin e nismave për ndryshime të akteve ligjore dhe nënligjore në lidhje me statusin e magjistratëve dhe për organizimin e sistemit gjyqësor.
Ndërgjegjësimi publik dhe bashkëpunimi me median.
Promovimi i një komunikimi profesional që shmang gjuhën denigruese. Refuzimi i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve dhe kërcënimeve si normalitet në diskursin publik dhe politik ndaj gjyqtarëve.
Përgjegjësia dhe veprimi institucional.
Nxitje për KLGJ që të ushtrojë me forcë mandatin kushtetues.
Kërkesë që Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës në gjykata.
Angazhime morale e profesionale të gjyqtarëve.
Përkushtim për gjykim në kohë, vendime të arsyetuara dhe qëndrueshmëri jurisprudence.
Pranimi i përgjegjësisë për forcimin e brendshëm të sistemit si themel i autoritetit moral të drejtësisë.

8. Në kujtim të gjyqtarit të rënë në krye të detyrës, Astrit Kalaja

Njohja e statusit “Dëshmori i Atdheut” për gjyqtarin Astrit Kalaja.
Salla e Mbledhjeve të Gjyqtarëve pranë godinës së KLGJ të marrë emrin e të ndjerit gjyqtar Astrit Kalaja.

Ngjarja e 6 Tetorit nuk duhet të mbetet kujtesë e dhimbshme, por moment zgjimi kombëtar për drejtësinë shqiptare.
Ne nuk kërkojmë keqardhje kërkojmë veprim.
Sepse një gjyqtar i pambrojtur është një drejtësi e pambrojtur, dhe një drejtësi e pambrojtur është një qytetar pa shpresë.
Ne angazhohemi solemnish që, pavarësisht tronditjes, të vijojmë të gjykojmë me paanshmëri, ndershmëri dhe kurajë.
Drejtësia shqiptare nuk dorëzohet ajo ringrihet.
Drejtësia nuk do të ndalet.
Ajo do të vazhdojë të veprojë me guxim, për të mbrojtur lirinë, të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar.