A e fitoi presidenti Trump Çmimin Nobel për Paqen në minutën e fundit?
Po shtohen spekulimet se Donald Trump sapo ka siguruar Çmimin Nobel për Paqe pas arritjes së marrëveshjes historike të paqes midis Izraelit dhe Hamasit për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gaza.
Të dyja palët kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të Trump, që përfshin ndalimin e përkohshëm të luftimeve dhe lirimin e pengjeve, një marrëveshje që mund të hapë rrugën për t’i dhënë fund një konflikti brutal që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka shkaktuar një katastrofë humanitare.
Nëse marrëveshja zbatohet plotësisht, ajo do t’i afrojnë palët më shumë se çdo përpjekje e mëparshme për të ndalur një luftë që është shndërruar në konflikt rajonal dhe ka ndryshuar Lindjen e Mesme.
Me vetëm disa orë para se gjyqtarët të njoftojnë fituesin e Çmimit Nobel për Paqe 2025, ekspertët po presin të shohin nëse presidenti amerikan do të marrë çmimin prestigjioz që ai e ka dëshiruar që nga zgjedhja e tij.
Komiteti Norvegjez i Nobel-it mbajti mbledhjen e fundit të tij të hënën, që do të thotë se vendimi për fituesin u mor para përfundimit të marrëveshjes midis Izraelit dhe Hamasit.
Megjithatë, disa analistë mendojnë se komiteti mund të rishqyrtojë dhe të bëjë një ndryshim në minutën e fundit për shkak të marrëveshjes historike të ndërmjetësuar nga Trump.
Marrëveshja u arrit nën presionin e Trump, i cili nuk e ka fshehur besimin se e meriton Çmimin Nobel për Paqe. Ai ka deklaruar më parë se do të ishte një “fyerje e madhe” nëse nuk do ta merrte çmimin dhe ka ushtruar presion mbi Komitetin e Nobel-it, duke pretenduar se ka “zgjidhur shtatë luftëra”.
Madje, sipas mediave norvegjeze, Trump ka telefonuar Jens Stoltenberg-un, ish-drejtuesin e NATO-s dhe tani ministër i financave në Norvegji, për të lobuar për çmimin.
Arritja e tij më e fundit është plani i paqes në Gaza, ku Hamasi do të lirojë 20 pengjet e gjallë në ditët e ardhshme në këmbim të të burgosurve palestinezë, ndërsa ushtria izraelite do të fillojë tërheqjen nga pjesa më e madhe e Gazës.
Trump shkroi në rrjetet sociale: “Kjo do të thotë se TË GJITHA pengjet do të lirohen shumë shpejt, dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të dakorduar si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen drejtësisht!”
Por kritikët thonë se kjo mund të mos mjaftojë për ta bërë presidentin fitues të Nobelit për Paqe.
Nina Graeger, drejtoreshë e institutit të studimeve ‘Peace Research Institute Oslo’ (PRIO), tha për ‘Financial Times’: “Të ushtruarit presion mbi komitetin, të dalësh e të thuash ‘Unë e meritoj çmimin’ — nuk është një qasje shumë paqësore.”
Ajo shtoi se sjellja e tij brenda dhe jashtë vendit ka penguar shanset e tij për të marrë çmimin.
Në një intervistë për BBC, Graeger tha gjithashtu: “Administrata e Trump është tërhequr nga institucionet ndërkombëtare si OBSH dhe marrëveshjet e klimës së Parisit, dhe dëshira e tij për të marrë Groenlandën nga Danimarka nuk flet në favor të bashkëpunimit ndërkombëtar”.
Por këto nuk janë të vetmet pengesa. Nominimet për çmimin Nobel për Paqe — që këtë vit ishin 338 — u mbyllën në fund të janarit, dhe çmimi synon të nderojë veprimtarinë gjatë vitit 2024, vit në të cilin Trump u zgjodh, por ende nuk ishte në detyrë.
Fituesi do të shpallet të premten.
Sipas shanseve të fundit të basteve, Trump tani është favorit me kuotën 5/2, së bashku me ‘Emergency Response Rooms’ të Sudanit.
Izraeli dhe Hamas ranë dakord për planin e Trump të mërkurën vonë, një ditë pas përvjetorit të dytë të sulmit të Hamasit që shkaktoi ofensivën shkatërruese të Izraelit në Gaza.
Megjithatë, marrëveshja e shpallur nga Trump mungon në detaje dhe ka shumë pyetje të pazgjidhura që mund të çojnë në dështimin e saj, siç ka ndodhur me përpjekjet e mëparshme për paqe.
Nëse ajo zbatohet me sukses, do të ishte një arritje e rëndësishme në politikën e jashtme për presidentin republikan, i cili kishte premtuar se do të sillte paqe në konfliktet kryesore botërore, por ka hasur vështirësi në përmbushjen e këtij premtimi, si në Gaza ashtu edhe në luftën në Ukrainë.