Demokratja tërbohet dhe lë intervistën kur pyetet për Trump-in

Kandidatja e Kalifornisë për guvernatore, Katie Porter, akuzohet se nuk është në gjendje t'u përgjigjet "pyetjeve të thjeshta" të gazetarëve

Kandidatja kryesore demokrate për guvernatore e Kalifornisë u përpoq të ndërpriste një intervistë pasi u pyet se si do të fitonte mbështetjen e përkrahësve të Donald Trump-it.

Katie Porter, e cila sipas sondazheve kryeson garën për të zëvendësuar Gavin Newsom-in në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, akuzoi një reportere të CBS-it se ishte "polemike pa qenë nevoja" gjatë një interviste të tensionuar.

Rivalët e tjerë demokratë që po garojnë për nominimin e partisë për guvernator e akuzuan atë se po i nënvlerëson votuesit dhe se nuk ishte në gjendje t'u përgjigjej "pyetjeve të thjeshta".

Zonja Porter u vu nën presion nga korrespondentja Julie Watts pasi kishte deklaruar se nuk kishte nevojë të fitonte mbështetjen e përkrahësve të Donald Trump-it për t'u bërë guvernatore.

Ish-kongresistja ngrysi vetullat, u kthye nga kamera dhe qeshi hapur, para se të pyeste me mosbesim të dukshëm: "Pse do të më duheshin ata për të fituar, zonjë?"

Porter duket se bie në kundërshtim me veten

Zonja Porter më pas pohoi se do të fitonte çdo votë të 60 për qind të kalifornianëve që nuk kishin votuar për presidentin amerikan në zgjedhjet e vitit të kaluar, për të mposhtur një kandidat republikan në garën për guvernator.

Kur u pyet se si do ta arrinte këtë në një garë paraprake kundër demokratëve të tjerë, ajo u përgjigj: "Nuk e parashikoj që të ndodhë ashtu."

Më pas, Porter dukej se e kundërshtoi veten, duke thënë se kishte fituar vota republikane në të kaluarën kur përfaqësonte një distrikt të luhatshëm në qarkut të Orange-t, një zonë me prirje të forta konservatore.

"Ndiej se kjo është polemike pa qenë nevoja," tha ajo, para se të ngrinte duart si për t'i bërë ballë gazetares Watts. "Cila është pyetja juaj?"

Gjatë gjithë intervistës, gazetarja e CBS-it theksoi disa herë se kishte bërë të njëjtat pyetje edhe kandidatëve të tjerë demokratë për guvernator.

"Do të përpiqem të fitoj çdo votë që mundem, dhe ajo që po them është se…" tha zonja Porter, para se të ndalonte papritur dhe të linte intervistën.

"Nuk dua ta vazhdoj këtë, po e mbyll," tha ajo, duke bërë sikur do ta hiqte mikrofonin, edhe pse nuk e bëri, ndërsa u ankua për "shtatë pyetje shtesë pas çdo pyetjeje që bëni."

"Nuk dua që kjo të jetë e gjitha në kamera"

Kur zonja Watts tha sërish se rivalët e saj demokratë u ishin përgjigjur të njëjtave pyetje, Porter u përgjigj: "Nuk më intereson… Dua të kem një bisedë të këndshme, pozitive."

"Nuk më ka ndodhur kurrë më parë, kurrë… ta ndërpres një intervistë. Po kandidoj për guvernatore sepse jam lidere," tha ajo, duke përplasur duart në këmbë në shenjë zhgënjimi.

"Nuk dua të kem një përvojë të pakëndshme me ju. Dhe nuk dua që e gjitha kjo të jetë në kamera," shtoi ajo.

Rivalët e zonjës Porter reaguan menjëherë ndaj përpjekjes së saj për ta ndërprerë intervistën dhe ndaj dukjes sikur ajo pranoi se nuk i duhej mbështetja e përkrahësve të Trump-it.

Xavier Becerra, ish-sekretari i Shëndetësisë nën administratën e Joe Biden-it, tha se ai nuk ishte "i interesuar të përjashtonte asnjë votë".

Antonio Villaraigosa, ish-kryebashkiaku i Los Anxhelesit, tha: "Ne kemi nevojë për një lider që do të zgjidhë problemet e vështira dhe do t'u përgjigjet pyetjeve të thjeshta."

Steve Hilton, kandidati kryesor republikan në garë, tha: "Si guvernator, do t'i shërbej çdo qytetari të këtij shteti, nëse kanë votuar për presidentin ose jo, nëse votojnë për mua ose jo." /The Telegraph - Syri.net/