Revoltimi i artistit Florian Binaj

Në kandidimin e tij për Bashkinë e Tiranës, Florian Binaj nuk është një hero, por një qenie krejt e zakonshme që ka zgjedhur të mos tradhtojë ndërgjegjen e vet. Ai ka pamjen e një njeriu që përpiqet të ruajë gjurmën e arsyes në një botë që është kthyer në spektakël të nënshtrimit. Në një shoqëri ku pushteti i një partie zgjat shumë dhe zëri i mendimit ndryshe asimilohet dhe shpartallohet nga të gjitha pamjet, e vetmja rrugë për t’u përballur mbetet veç revolta e artistit, e cila, duke qenë e tillë dhe aspak ndryshe, bëhet e vetmja formë e lirisë publike. Në këtë betejë Florian Binaj nuk ka ushtri, por fjalë; nuk ka parti, por ndërgjegje. Në Tiranën e sotme, revolta e tij do të thotë refuzim i nënshtrimit ndaj propagandës, i blerjes së heshtjes me projekte, fonde apo “respekt institucional”. Në kohën e pabarazisë dhe të mjerimit, në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të lirisë, kandidimi i tij për kreun e bashkisë më të madhe të vendit mund t’i japë jetë gjërave, mund ta shpëtojë qytetin dhe shoqërinë, sepse, duke kandiduar, së bashku me idetë dhe risitë e kandidimit, me shumë gjasa do të sjellë edhe ndryshim, edhe progres, edhe shpresë.

Kandidimi për Bashkinë e Tiranës është shumë i vështirë, madje është kaq i vështirë, sa edhe vetë Edi Rama do të humbiste, nëse do të vendoste të kandidonte, përballë sistemit që ka ngritur prej dymbëdhjetë vitesh në Shqipëri. Prandaj, beteja e Florian Binajt për Tiranën nuk është asgjë tjetër veçse një betejë për shpëtimin e shoqërisë nga absurditeti ku jeton, nga mediokriteti dhe meskiniteti, shfrytëzimi i njeriut, nga makutëria ndaj pushtetit dhe shpërdorimi i saj, nga gjithçka që venit shpirtin njerëzor dhe e sterilizon atë. Mos harroni: ai po kandidon, në fund të fundit, në kohën kur ata që i bënë kakën qytetit nuk banojnë këtu me ne, por jashtë tij. Tirana sot është një xhungël, nuk është qytet. Ajo duhet bërë krejt ndryshe. Tirana është shembulli i një qyteti që si nuk duhet të jetë. Në çdo çast që kalon, Tirana shkatërron Shqipërinë dhe vetëshkatërrohet. Është si një leckë e vjetër, ku ti e qep diku me një copë pece dhe ajo shqepet në një mijë vende. Tirana e rrëzuar ka rrëzuar edhe Shqipërinë. Çmimet e larta, mungesa e prodhimit të brendshëm, rënia e demokracisë, kapja e medias, emigracioni masiv, epidemitë - gjithçka që s’shkon në këtë vend të vogël  - është pasojë e modelit të saj urbanizues. Ata që e kthyen këtë qytet në tmerr, na e hodhën ne mbi kokë, duke na zënë të gjithëve brenda, ndërsa ata ikën, morën malet dhe sot jetojnë jashtë tij.

Kemi mbetur ne brenda, së bashku me fëmijët, me kujtimin e prindërve apo të gjyshërve tanë; kemi mbetur të kapur pas njëri-tjetrit, duke stresuar secili secilin, të kapur në kurth, të shkatërruar nga mungesa e cilësisë së jetës dhe hapësirës. Jemi ngjitur drejt qiellit, pasi shqiptari e jeton zonën urbane më lart se më parë, pra në lartësi më të konsiderueshme sesa më parë, e mbi të gjitha, në një masë të madhe, nuk banon në një rrafsh me tokën, me lulet, me bimët, me pemët, por i shkëputur prej tyre, mbi beton dhe me dritë artificiale. Qyteti është bërë i papërballueshëm për pjesën më të madhe të banorëve të tij, i cili, duke qenë i tillë, krejt i papërballueshëm, e ka përjashtuar qytetarin nga jeta ekonomike dhe kulturore. Qytetari, edhe pse jeton aty, edhe pse punon aty, edhe pse shpenzon aty, e ka të pamundur të dalë për t’u zbavitur, për t’u argëtuar, për t’u edukuar në mënyrë krejt cilësore. Ky qytet nuk t’i jep këto mundësi, përveç skllavërimit dhe nënshtrimit.

Shumë pak njerëz kanë folur për Tiranën e përçudnuar; pjesa më e madhe e atyre që pandehin se janë elita kulturore e vendit, ka heshtur. Nuk ka folur shumica e akademikëve, mbrojtësit e trashëgimisë kulturore, profesorët dhe artistët. E kanë lënë qytetin të bjerë në gjendje të lirë, duke përfunduar dalëngadalë një preh e lehtë për ujqërit dhe hienat. Tani që ka dalë një artist, i bërë vetë, një qytetar i këtij qyteti, një njeri i angazhuar në dhjetëra kauza sociale të këtij vendi, pjesa më e madhe e shkruesve mundohen t’i gjejnë nyjën se ku lidhet dhe zgjidhet Florian Binaj. Jo vetëm një mendim naiv ky, por edhe i tmerrshëm. Mund të jetë e vërtetë se Binaj është një artist i vetëmodeluar, falë talentit dhe intuitës që duhet të ketë artisti për t’u spikatur dhe veçuar nga të tjerët. Por njëkohësisht, ai është edhe arkitekt urbanist, madje mund të themi se është një nga njohësit më të mirë të qytetit dhe filozofisë së tij që ka gara për Tiranën. E njeh hapësirën urbane qoftë nga pikëpamja filozofike, ashtu edhe sociologjike. Ka jo vetëm integritetin e figurës, ndjeshmërinë qytetare, përgjegjësinë intelektuale, elegancën artistike, por edhe ekspertizën profesionale. I ka të gjitha cilësitë që duhet të ketë një kandidat jo partiak, një kandidat që është për qytetarët dhe qytetin.

Në kohën kur qyteti po shuhet çdo ditë e më tepër nga pesha e betonit dhe mashtrimit, kandidimi i tij është një kujtesë se ende mund të ekzistojë njeriu i lirë, ai që ngrihet jo për të sunduar, por për të mos pranuar sundimin. Sepse në fund, siç do të thoshte Albert Camus, revolta është ajo që e bën njeriun të madh, pikërisht atëherë kur çdo gjë përreth e ul. Dhe ndoshta, në këtë Tiranë të rrënuar, revolta e një artisti mund të jetë më e rëndësishme se mendimi se kush e kontrollon Florian Binajn. Madje akoma më e rëndësishme është edhe mesazhi që na përcjell; pasi qyteti modern, më shumë se pjellë e betonit, është e ndërgjegjes.