Szczesny për Ter Stegen: Kam qenë në të njëjtën situatë te Juventusi dhe vendosa të tërhiqesha nga futbolli
Portieri polak, Wojciech Szczesny, ka folur për situatën e portës së Barcelonës pas mbërritjes së Joan García-s, duke krahasuar rastin e Marc-André ter Stegen-it me përvojën e tij personale tek Juventusi. Në një intervistë për ‘El Mundo Deportivon’, ish-portieri i bardhezinjve tregoi se e kupton plotësisht pozicionin e gjermanit, i cili rrezikon të humbasë vendin e titullarit pas operacionit që e mbajti jashtë fushave gjatë verës.
“Nuk është një situatë e këndshme. Kam qenë në të njëjtën gjendje me Juven dhe atëherë vendosa të tërhiqesha nga futbolli. Nuk i këshilloj Marc-ut të bëjë të njëjtën gjë, sepse ai ende ka shumë për t’i dhënë futbollit. Por ndonjëherë, në këtë punë, duhet të pranosh që disa vendime mund të të dëmtojnë,” – u shpreh Szczesny, i cili ka qenë titullar në ndeshjet e fundit për shkak të operacionit të García-s.
Sipas tij, ardhja e Joan García-s është një investim afatgjatë për Barcelonën.
“Klubi vendosi të sillte një talent të nivelit botëror që mund të mbrojë portën e Barcelonës për 15 vitet e ardhshme. E kuptoj që për Marc-un kjo mund të jetë zhgënjyese pas gjithçkaje që ka dhënë, por ai është shumë inteligjent dhe e pranon situatën. Tani më e rëndësishme për të është të rikuperojë plotësisht formën fizike,” – tha ai.
Szczesny vlerësoi gjithashtu marrëdhënien e tij me Ter Stegen-in, duke kujtuar se sezoni i kaluar ishte shumë pozitiv për klubin:
“Fitimi i tre trofeve ishte vendimtar. E pashë Marc-un të lumtur për ekipin dhe për faktin që Barça u rikthye aty ku duhet të jetë, duke fituar. Nuk e pashë kurrë të frustruar, edhe pse do ta kuptoja po të ishte.”
Në fund, portieri polak lavdëroi Joan García-n, të cilin e cilësoi “një nga portierët më të mirë fizikisht në botë”.
“Joan është inteligjent, shumë i qetë dhe do të ketë një sezon të shkëlqyer. Do të përpiqem ta ndihmoj që të ruajë qetësinë, sepse ajo është cilësia më e rëndësishme për një portier. Po bëj me të atë që Buffon bëri me mua te Juventusi, ndoshta ai s’mund të mësojë prej meje aq sa unë mësova prej Gigi-t, por procesi është i njëjtë,” – përfundoi Szczesny.