Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Opozita në bllok kërkon dorëheqjen e 2 ministrave, Lamallari e Koçiu: Turp!
Debate të ashpra përfshinë sot paradite Kuvendin dy ditë psa vrasjes në sallën e gjyqit të gjyqtarit të gjykatës së Apelit të juridiksionit të përgjithshëm në Tiranë, Astrit Kalaja.
Opozita në bllok ngriti zërin duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu por dhe ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari si përgjegjës për dështimin e sigurisë në gjykata dhe e mungesës së përgjegjësisë nga Ministria e Brendshme, duke u shprehur se një gjyqtar nuk duhet të jetë i ekspozuar ndaj rrezikut për të dhënë vendimin e tij në emër të Republikës së Shqipërisë.
Berisha tha se Koçiu mashtroi publikisht.
“Për sa i përket ministres, ajo ka bërë mashtrim publik dhe askush nuk mund të mbrojë një mashtruese publike të denoncuar nga KLGJ-ja.Çfarëdo apoteoze që t’i thurësh ti asaj, ajo është një mashtruese publike.” tha Berisha
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se Rama duhet të japë shpjegime për faktin se nuk siguroi gjykatat.
"Kurrë në histori nuk ka ndodhur që një gjyqtar të vritet në sallën e gjyqit. Ministrja e Brendshme duhet të japë dorëheqje, Rama të vijë dhe të japë shpjegime se për 3 vite nuk i është përgjigjur kërkesës së organeve të drejtësisë për të shtuar masat e sigurisë me punonjës policie në gjykatat e vendit." tha Bardhi
E në vend që qeveria të reflektojë, sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka tha se qeveria dhe ministrat bëjnë karshillëk ndaj ngjarjeve të tilla të rënda, duke ia hedhur fajin opozitës.
"Është vrarë një gjyqtar dhe këtu ministri i Drejtësisë së bashku me zonjën ministre të Brendshme, në vend që të mbanin përgjegjësi, moral, por edhe ligjore. Sepse nuk keni policë të mbroni gjykatën e Apelit, por për ta shoqëruar Suelin te dentisti nga Elbasani në Tiranë, me makinë policie dhe policë, keni policë." tha Noka.
Gjatë debatit Niko Peleshi i hoqi të drejtën e fjalës Flamur Nokës i cili u afrua foltores për ti kërkuar përgjegjësi ministres Koçiu.
Përkundër kësaj ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari dhe ministrja Albana Koçiu refuzuan të mbajnë përgjegjësi duke akuzuar opozitën se po e politizon ngjarjen
“Përgjegjëse nuk jam unë. Mos e politizo situatën. Eshtë shumë e qartë se kush ka qenë nxitësi i gjuhës së urrejtjes, nxitësi i gjuhës bullizuese që përdoret këtu nga mëngjesi deri në darkë dhe se kush është nxitësi dhe urrejtësi dhe njeriu më i pështirë që mund të ekzistojë në këtë republikë parlamentare. Me qënë se ju dëgjova të gjithëve dhe keni merakun e njoftimit tim publik. Gjuha e përdorur duke më etiketuar si kur kam gënjyer dhe mashtruar është totalisht në shkelje të gjithë përgjegjësisë që ka policia e shtetit. Ju e dini shumë mirë se nëse do kishte përgjegjësi një polic i shtetit sot do të ishte në arrest.” tha Koçiu
"Të bësh politikë me vrasjen dhe me një rast tragjik dhe të bësh retorikë, politikisht mbi një vrasje është e rëndë, akoma nuk janë bërë të 7 ditë, tha Lamallari.
Përgjigjen ministri Lamallari e mori nga deputetja e PD-së Ina Zhupa
“Turp të vijë ty që sot këtu po bën avokatin e një vrasësi Që sot nuk mban përgjegjësi bashkë me kolegen për vrasjen e gjyqtarit që jepte vendim në emër të Republikës të Shqipërisë. Ti je i promovuar pikërisht për këto dështime për papërgjegjshmëri për qytetarët shqiptarë”, tha Zhupa
Ndërkohë Deputetja e PD-së Jozefina Topalli e konsideroi vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si goditje ndaj shtetit.
“Me vrasjen e gjyqtarit, në vendin tonë është vrarë iluzioni se në këtë vend ka shtet. Nëse nuk reflektojmë, ky vend do shkojë në humnerë”, u shpreh Topalli
Pas gati 1 orë debat keu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi të hedhë në votim 4 rezolutat. Niko Peleshi vendosi për 10 minuta pushim dhe më pas u rikthye në seancë për të kaluar rezolutat.