'Vrasja e gjyqtarit Kalaja', Bardhi: Ministrja e Brendshme të japë dorëheqjen, dështoi të garantojë sigurinë
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në seancën plenare të sotme, ka komentuar ngjarjen tronditëse të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit.
Ai theksoi se, ngjarja është një dëshmi e qartë e dështimit të sistemit të sigurisë në gjykata dhe e mungesës së përgjegjësisë nga Ministria e Brendshme, duke u shprehur se një gjyqtar nuk duhet të jetë i ekspozuar ndaj rrezikut për të dhënë vendimin e tij.
Sipas tij, është detyrë e shtetit të garantojë sigurinë e gjyqtarëve dhe personelit në gjykata, dhe çdo lloj indiference nga autoritetet është e papranueshme.
Bardhi u shpreh gjithashtu se institucionet duhet të marrin masa urgjente për të parandaluar incidente të ngjashme dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve te drejtësia.
Gazment Bardhi:
Seanca sot duhet të niste me dorëheqjen e ministres së Brendshme. Është e paimagjinueshme që një gjyqtar të vritet në sallën e gjyqit.
Është po ashtu e paimagjinueshme që ministrat të gënjejnë duke deklaruar se Policia e Shtetit nuk ka detyrime për të garantuar sigurinë në institucionet e drejtësisë. Kjo çështje nuk mund të kalojë si një çështje e ditës.
Kurrë në histori nuk ka ndodhur që një gjyqtar të vritet në sallën e gjyqit. Ministrja e Brendshme duhet të japë dorëheqje, ndërsa kryeministri Rama të vijë e të japë shpjegime pse për tre vite me radhë nuk i është përgjigjur kërkesës së organeve të drejtësisë për të shtuar masat e sigurisë me punonjës policie në gjykatat e vendit.
Sipas legjislacionit në fuqi, është detyrë e shtetit të garantojë sigurinë në rrugët dhe ambientet e tij. Ky detyrim është nxjerrë në pah edhe nga KLSH, i cili publikoi korrespondencën me ministrin e Brendshëm, ku kërkohej ndërhyrje për shkak të ngjarjeve të ndodhura në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtarët ishin ndjerë të kërcënuar.
Kjo ngjarje tronditi jo vetëm opinionin publik shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar, pas sqarimit dhe reagimit të ministrisë, ku u deklarua se nuk ka pasur punonjës policie përgjegjës dhe se nuk ka pasur asnjëherë veprim në gjykatë.
Në derën e gjykatës, për hyrje-daljet e individëve në Gjykatën e Apelit është përgjegjës punonjësi i policisë, dhe nuk mund të ndodhë që një punonjës i armatosur të mos ndalojë një tjetër punonjës të armatosur që hyn në gjykatë.