Kuvendi nis seancën me një minutë heshtje për gjyqtarin Kalaja/ Pas përplasjes PS-PD, vendoset 2.5 orë debat për çdo raport

Sot ka nisur seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, e cila është hapur me një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, i cili humbi jetën pak ditë më parë në një ngjarje tragjike në ambientet e Gjykatës së Apelit.

Pas kësaj ceremonie simbolike, seanca do të vijojë me shqyrtimin e raporteve të institucioneve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj.

Vendimi për kohëzgjatjen e debateve u parapri nga një përplasje mes mazhorancës dhe opozitës në Konferencën e Kryetarëve. Partia Demokratike kërkoi që për secilin raport të zhvillohej një debat 4-orësh, duke u mbështetur në nenin 48 të Rregullores së Kuvendit, që garanton një minimum kohe për çdo grup parlamentar.

Nga ana tjetër, PS nuk pranoi kërkesën e PD-së, por vendosi për një kohë më të gjatë sesa fillimisht kishte propozuar: 2 orë e 30 minuta për çdo raport.

Seanca pritet të vijojë me diskutimet për raportet e disa prej institucioneve më të rëndësishme të sistemit kushtetues dhe ligjzbatuese në vend.