Jepini presidentit amerikan Donald Trump, Çmimin Nobel për Paqen

Nga Philip Fabian, BILD

Të premten do të shpallet se kush do ta marrë Çmimin Nobel për Paqe në dhjetor. Dhe këtë vit, në fakt, mund të ketë vetëm një fitues: Donald Trump!

Po, ky njeri i etur për pushtet, vanitoz dhe mendjemadh, ky tip anti-intelektual, ngacmues, që gjithmonë mendon vetëm për përfitimet e tij – duket se e ka arritur “marrëveshjen e shekullit”: të ndalojë ferrin për njerëzit në Izrael dhe Gaza pas 724 ditësh.

Dhe pikërisht me kushtet që izraelitët i pranojnë (të gjithë 20 pengjet e mbijetuara lirohen menjëherë) dhe që u japin njerëzve në Gaza shpresë për një të ardhme më të mirë — një jetë pa Hamasin.

Nëse lufta në Lindjen e Mesme ndalon vërtet tani, terroristët humbasin pushtetin dhe pengjet lirohen në ditët e ardhshme, atëherë kjo është vetëm meritë e Trump.

Ai, me mënyrat e veta të pazakonta, ka arritur diçka që asnjë politikan tjetër nuk do ta kishte bërë dot: praktikisht ta bindë gjithë botën arabe dhe islame që ta detyrojë Hamasin të dorëzohet.

Asnjë politikan tjetër në botë nuk do të kishte qenë në gjendje të realizonte një mjeshtëri të tillë. As fjalamanët e të dielave, Macron e Starmer, me njohjen e tyre simbolike të një shteti palestinez, as ata që u tërhoqën pas, Merz dhe Von der Leyen, që donin ta ndëshkonin Izraelin dhe në fakt ta linin Hamasin të paprekur.

E aq më pak një ish-president amerikan që mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2009 për shumë, shumë më pak merita në dobi të paqes botërore: Barack “Yes, we can” (po çfarë saktësisht?) Obama.