NATO shqyrton përgjigjen e armatosur ndaj luftës hibride të Vladimir Putinit

Aleatët e NATO-s po diskutojnë një përgjigje më të fuqishme ndaj veprimeve gjithnjë e më provokuese të Vladimir Putinit, duke përfshirë vendosjen e dronëve të armatosur përgjatë kufirit me Rusinë dhe lehtësimin e kufizimeve për pilotët, në mënyrë që ata të hapin zjarr ndaj avionëve rusë.

Bisedimet synojnë rritjen e kostove për Moskën të ‘luftës së saj hibride’ dhe përcaktojnë kundërmasa të qarta, pas një vale shkeljesh të hapësirës ajrore nga dronët dhe avionët luftarakë rusë, sipas katër zyrtarëve të NATO-s të informuar mbi bisedimet.

Shtetet në vijën e frontit që kufizohen me Rusinë, të mbështetura nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë filluar diskutimet, të cilat që atëherë janë zgjeruar në një grup më të madh në aleancën me 32 anëtarë.

Propozimet përfshijnë armatosjen e dronëve mbikëqyrës të përdorur për të mbledhur informacione mbi aktivitetet ushtarake ruse dhe uljen e standardeve për pilotët, që patrullojnë kufirin lindor për të eliminuar kërcënimet ruse. Një tjetër mundësi është të kryhen stërvitje ushtarake të NATO-s në kufirin me Rusinë, veçanërisht në pjesët më të largëta dhe të pambrojtura të kufirit.

Donald Trump muajin e kaluar tha se NATO duhet të hapë zjarr ndaj avionëve rusë që shkelin territorin aleat.

Komentet e presidentit amerikan erdhën pas një sërë provokimesh ruse, përfshirë përballjen e parë të drejtpërdrejtë midis aeroplanëve të NATO-s dhe dronëve rusë, që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Përveç atij takimi në hapësirën ajrore polake, dronët rusë janë futur gjithashtu në territorin rumun dhe avionët luftarakë MiG kanë kaluar në hapësirën ajrore të Estonisë.

Ndërkohë, dhjetëra dronë të paidentifikuar kanë shkaktuar ndërprerje masive në aeroportet në Belgjikë, Danimarkë dhe Gjermani, me disa zyrtarë që ia atribuojnë ato të njëjtës luftë hibride të kryer nga Moska dhe që përfshin sulme kibernetike dhe përpjekje sabotimi.

Matthew Whittaker, ambasadori i SHBA-së në NATO, tha javën e kaluar se po “punonte çdo ditë” me aleatët për të siguruar që “të kemi mundësi më të mira në luftën asimetrike… dhe hibride”. Ai tha se ishte me rëndësi “të siguroheshim që të kishim mjaftueshëm hapa në shkallën e përshkallëzimit”.

Dy nga zyrtarët e NATO-s thanë se një çështje urgjente ishte përmirësimi i rregullave të angazhimit përgjatë krahut lindor. Disa vende kërkojnë që pilotët luftarakë të bëjnë konfirmim vizual të kërcënimeve përpara se të angazhohen, ndërsa të tjerë i lejojnë ata të hapin zjarr bazuar në të dhënat e radarit ose rrezikun e perceptuar nga drejtimi ose shpejtësia e objektit armiqësor.

NATO nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Bisedimet, të cilat filluan në një grup të vogël shtetesh të prekura drejtpërdrejt, tani janë shndërruar në një diskutim më të gjerë, thanë dy nga zyrtarët, ndërsa kryeqytetet e tjera aleate e njohin kërcënimin më të gjerë që paraqet fushata e destabilizimit e Moskës.

Disa kryeqytete po shtyjnë gjithashtu për një qëndrim më agresiv të NATO-s si një mjet për parandalim, tha një nga zyrtarët. Aleatë të tjerë po këshillojnë një përgjigje më konservatore, duke pasur parasysh rreziqet e përballjes së drejtpërdrejtë me një fuqi bërthamore si Rusia.

“Ka diskutime aktive mbi këto çështje, se si t’i përgjigjemi më mirë dhe më me efikasitet Rusisë”, tha një diplomat i NATO-s, i cili paralajmëroi se bisedimet ishin ende në një fazë fillestare.

NATO zhvilloi dy herë bisedime emergjente muajin e kaluar, të nxitura nga incidentet në Poloni dhe Estoni, dhe nisi misionin Eastern Sentry — një mision për të forcuar mbrojtjen ajrore të shteteve në vijën e frontit.

Nuk ka asnjë afat kohor apo detyrim për të rënë dakord për ndonjë ndryshim në qëndrim, dhe një ndryshim mund të mos komunikohet publikisht, paralajmëruan të katër zyrtarët.

Diskutimet e NATO-s vijnë ndërsa BE-ja përgatitet të ndërmarrë hapat e vet në përgjigje të provokimeve ruse.

Këto përfshijnë kufizimin e udhëtimit nëpër Evropë të diplomatëve rusë, të cilët dyshohen nga agjencitë e inteligjencës se drejtojnë agjentë dhe operacione sabotimi në vende të tjera nga vendi ku janë të caktuar zyrtarisht, si dhe përdorimin e fondeve të BE-së për të ndihmuar në vendosjen e sistemeve të mbrojtjes kundër dronëve.

“Kjo është një fushatë e qëllimshme dhe e synuar e zonës gri kundër Evropës. Dhe Evropa duhet të përgjigjet”, tha të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Rusia dëshiron të mbjellë përçarje. Ne duhet të përgjigjemi me unitet”, i tha ajo parlamentit evropian. “Ne jo vetëm që duhet të reagojmë, por duhet të pengojmë. Sepse nëse hezitojmë të veprojmë, zona gri vetëm sa do të zgjerohet.”/ FT.