Historia e Linda Kalemit nga Korça/ 100 vite pritje për pronën e familjes
Një histori e vjetër për pronësinë e një godine në Korçë ka vite që shëtit rrugët e gjykatave.
Linda Kalemi, ka rrëfyer shpesh herë për mediat historinë e saj dhë të familjes së saj.
Pas vrasjes së gjyqtarit në Tiranë në një gjykim për pronat ajo ka rrëfyer sërish këtë hisotori duke kërkuar ndhmë dhe rrugadalje që të ketë mundësi të gëzojë pronën e familjes.
Historia:
“Kjo është historia e një prone 100-vjeçare në zemër të Korçës, pas Katedrales — prona e familjes Terezi, që u ndërtua me djersën dhe fitimet e një emigranti shqiptar në Misir.
Një histori që fillon me punë e sakrificë… dhe vazhdon me grabitje, burg, e padrejtësi që s’kanë të sosur.
Gjatë regjimit komunist, shteti ia mori pronën me forcë. Babai i vjehrrës sime u shpall “kulak”, u burgos dhe u vra. Familja u hodh në rrugë.
Pas viteve ’90, vjehrri e rimori shtëpinë, por ndërkohë shteti kishte strehuar aty katër familje. Për një periudhë ata paguanin qira, por kjo zgjati pak.
Më pas, një ligj “i famshëm” — që zgjati vetëm dy a tre vjet — i dha Bashkive të drejtën të jepnin certifikata pronësie. Dhe aty filloi padrejtësia e re:
qeraxhinjtë, me ryshfete e lidhje, morën tapitë nga Bashkia Korçë, edhe pse në Hipotekë ndodhet ende tapia origjinale e familjes Terezi, me vulë dhe datë mbi një shekull më parë.
Burri im, Kampioni, i besoi komshiut tonë — një avokat që paguam paraprakisht për të ndjekur çështjen. Por ai kaloi në anën tjetër, u shfaq vetëm një herë në gjykatë dhe më pas u zhduk, duke premtuar e gënjyer. Që nga ajo ditë, unë mbaj barrën vetë.
Janë bërë 15 vite gjyqe, dy procese të hapura:
• Një civil ndaj qeraxhinjve,
• Dhe një administrativ ndaj Bashkisë Korçë.
Por drejtësia sorollatet: dosjet kthehen për “rishqyrtim”, proceset shtyhen, ndërsa Apeli është mbingarkuar.
E unë, një nuse që po hyj në pranverën e fundit të jetës, pyes veten: sa breza duhen që drejtësia të zgjohet?
Babai “kulak” u vra në burg.
E bija, vjehrra ime, iku nga kjo botë pa e parë shtëpinë e saj.
I biri, burri im, iku me dhimbje.
Unë, nusja, jam këtu — ende duke pritur për pronën e bijve tanë.
Kërkoj drejtësi, jo lëmoshë.
Kërkoj që shteti të kthejë atë që ka qenë gjithmonë e jona.
Çfarë të bëj tani?”