Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, blindohet gjykata e Tiranës, jepet masa e sigurisë për 3 të arrestuarit

Në orën 09:00 në Gjykatën e Tiranës nën masa të rrepta sigurie u paraqitën tre të arrestuarit e akuzuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja pasditen e 6 tetorit në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Elvis Shkambi, Gjon Shkambi është xhaxhai i tij, dhe Banush Koxhaj, punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit janë shoqëruar nga forca të shumta policie.

Gazetari Syri TV, Fatjon Gjinaj sjell pamjet nga Gjykata e Tiranës ku gjithçka është e blinduar. 

Seanca vijon dhe prokurorinë e përfaqëson drejtuesi i prokurorisë Arenc Cela, ndërsa gjyqtarja është Marinela Osmani.

Prokuroria do të kërkojë masën e arrestit me burg për 3 të arrestuarit të cilët akuzohen se vranë gjyqtarin Kalaja dhe plagosën babë e bir, palë në proces gjyqësor.

Lexo dhe: Zbulohet modeli i armës gjermane që Elvis Shkambi vrau gjyqtarin Astrit Kalanë në gjyq

Për çfarë akuzohen?

Elvis Shkambi, 30 vjeç, Autori i vrasjes së gjyqtarit dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përballet me tre akuza: vrasje e funksionarëve publikë, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve të përfshira kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve.

Për Gjon Shkambi, prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të veprës penale që i referoi policia, e cila e akuzonte edhe atë për vrasjen e gjyqtarit. Organi i akuzës dyshon se Gjoni kishte dijeni vetëm planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq dhe se ka pasur rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën e pretenduar prej tij në Shkodër.

Ai akuzohet për 'vrasje në rrethana të tjerë cilesuese” kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

Roja  i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës. Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin në librin e protokollit, ashtu siç është detyrim për çdo qytetar që hyn dhe del në institucion. Ai akuzohet për 'shpërdorim detyre'