Benini drejt mrekullisë së Botërorit 2026: një karton i verdhë që mund të ndryshojë historinë
Benini, një prej vendeve më të varfra në botë sipas ISU-së së OKB-së, është në prag të një arritjeje të pabesueshme në futboll. Kombëtarja e njohur si “Ghepardët” mund të sigurojë për herë të parë pjesëmarrjen në një Botëror, falë një gabimi disiplinor të Afrikës së Jugut që ka tronditur gjithë kontinentin.
Gjithçka nisi në mars, kur mesfushori Teboho Mokoena, i cili ishte i pezulluar për shkak kartonësh, u aktivizua gabimisht nga Afrika e Jugut në ndeshjen ndaj Lesothos, që fillimisht përfundoi 2-0 për “Bafana Bafana”. FIFA ndërhyri dhe vendosi ta regjistrojë ndeshjen si humbje në tavolinë 3-0, çka i dha Beninit tri pikë jetike dhe kreun e Grupit C me 14 pikë, katër më shumë se Afrika e Jugut.
Tani Benini është vetëm dy ndeshje larg ëndrrës së madhe: përballjet ndaj Ruandës dhe Nigerisë, më 10 dhe 14 tetor, do të jenë vendimtare për fatin e tyre. Ndërkohë, Afrika e Jugut duhet të përballet me Zimbabven dhe Ruandën, duke qenë nën presion për të mos gabuar më.
“Ne besojmë. Nëse fitojmë të dyja ndeshjet, mund të realizojmë diçka që do të mbahet mend për dekada,” – u shpreh sulmuesi Hountondji, autor i tre golave në këto kualifikuese dhe aktualisht pjesë e St. Pauli-t në Gjermani.
Nëse kjo mrekulli bëhet realitet, do të jetë hera e parë që Benini merr pjesë në një Kupë të Botës, duke tejkaluar arritjen e tij më të madhe deri tani, çerekfinalen e Kupës së Afrikës 2019. Një sukses që do të tejkalonte kufijtë e sportit, duke u kthyer në simbol shprese për një vend që po ëndërron bashkë me “Ghepardët” e tij.