Ekspertët e udhëtimeve kanë zbuluar se ku ndihen më shumë turbulencat në aeroplan
Kur zgjidhni një vend në aeroplan, vendndodhja mund të bëjë diferencën mes një udhëtimi të qetë dhe një përvoje të lodhshme. Ekspertët e udhëtimit theksojnë se zgjedhja e rreshtit apo pjesës së avionit lidhet ngushtë me komoditetin, ndjenjën e sigurisë dhe shmangien e shqetësimeve gjatë fluturimit.
Sipas Express.co.uk, shumica e specialistëve bien dakord se rreshti i fundit nuk është opsioni më i mirë për pasagjerët që duan rehati. Nicholas Smith, drejtor menaxhues në agjencinë Thomas Cook, shpjegon se në pjesën e pasme turbulencat ndihen më fort, shërbimi është më i ngadaltë, zgjedhjet e ushqimit të kufizuara dhe vendet janë pranë kuzhinës e tualeteve.
Për ata që ndihen të pasigurt në ajër, Smith rekomandon ulëset pranë krahut, ku lëkundjet janë më të lehta për t’u përballuar. Pasagjerët me lidhje të shpejtë duhet të zgjedhin korridorin sa më afër pjesës së përparme të avionit, ndërsa çiftet që duan më shumë hapësirë mund të rezervojnë dy vende dhe të lënë bosh ulësen e mesit.
Edhe udhëtarja me përvojë Izzy Nichols ndan të njëjtin opinion. Sipas saj, vendet në pjesën e prapme janë më të zhurmshme për shkak të motorëve dhe kuzhinës, si dhe pasagjerët që ulen aty janë zakonisht të fundit që zbresin nga aeroplani.
Në fund, zgjedhja e vendit nuk është gjithmonë e lirë apo e thjeshtë, por planifikimi sipas nevojave personale mund të kthejë një udhëtim stresues në një përvojë shumë më të këndshme.