SYRI TV/ Plug vijon investigimin e fondeve IPARD - Frida Krifca merrte grante për familjarët e burrit

Deputetë, zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të lidhur me Partinë Socialiste, janë pjesë e listës së përfituesve të fondeve IPARD, të cilat sot Bashkimi Europian kërkon të kthehen pas. Emisioni investigative plug, në serinë e dytë të tij tregoi se Frida Krifca ka firmosur grante nga IPARD edhe për familjarë të bashkëshortit të saj. Pasuria e ish-ministres rezulton se u rritë në prona, biznese, troje të blerë me çmime qesharake dhe të ardhura publike në konflikt interesi, gjatë kohës që Frida Krifca ishte drejtuese e AZHBR dhe Ministre e Bujqësisë. Plug solli detaje të reja nga afera 38 milionë euro, që vijon të mos gjejë drejtësi, ndërsa ata që paguajnë faturën e korrupsionit janë fermerët shqiptarë.

Syri TV

Emisioni investigative Plug vijoji edhe këtë të mërkurë, duke denoncuar abuzimet me grantet IPARD, që bashkimi Europian dha ndihmë për fermerët shqiptarë, por që përfunduan në vetëm një grusht prej 431 personash, kryesisht të lidhur me politikën. Teksa Frida Krifca ka qenë drejtuese e AZHBR dhe Ministrisë së Bujqësisë, përfitues të këtyre fondeve janë dhe të afërm të bashkëshortit të saj, Erti Lutaj. Nga të dhënat rezulton se familjarë të bashkëshortit Erti Lutaj, nip i ish-deputetit të PS, Piro Lutaj, kanë përfituar qindra mijëra euro fonde për të ndërtuar agroturizëm Bylis në fshatin Hekal të Mallakastrës.

Plug analizoi dhe skedën e pasurisë së ish-ministres Krifca, nga e cila rezulton se ndonëse më herët punonte në sektorin privat me një pagë më të mirë se ajo në sektorin publik, Krifca iu bashkua qeverisë Rama në vitin 2017 për të marrë në dorë fatet e bujqësisë shqiptare. Pasi u fut në sektorin publik, pasuritë e ministres Krifca u rritën, ku pronat e saj patë ngritje të dyshimtë të vlerës së qirasë, ndërsa bashkëshorti hapi disa biznese, me të cilat përfitoi edhe fonde publike nga bashkia e Tiranës, ndërsa bleu edhe mijëra metra katror tokë në Tiranë, me çmim qesharake.

Nga investigimi i emrave që kanë përfituar, që ka publikuar AZHBR, rezulton se përsëri fondet e IPARD shkuan kryesisht në xhepat e personave të lidhur me pushtet. Gazmir Bullari, vëllai i ish-deputetit të PS, në Cerrik, Shkëlqim Bullari, ka përfituar qindra mijëra euro fonde për të ndërtuar një plantacion me arra dhe kivi. Por, dyshohet se pikërisht pas pasurive dhe kompanive, të regjistruara në emër të Gazmir Bullarit, është vet ish-deputeti i PS, Shkëlqim Bullari. Kompanitë e vëllezërve Bullari janë gjithashtu përfituese të fondeve publike dhe trojeve në sipërfaqe mijëra metra katror, që i kanë marrë në shfrytëzim nëpërmjet qirave qesharake.

Në radhën e zyrtarëve socialistë, apo familjarëve të lidhur me ta, që kanë përfituar fonde nga IPARD, janë Tizjana Fasko, bashkëshortja e Krenar Canollari, një ish-drejtues i ALUIZNIT dhe njësisë administrative kombinat në Tiranë. Fasko ka përfituar 134 mijë euro grant nga AZHBR për të ndërtuar një agroturizëm. Ish –deputeti i PS në Fier, Arjon Muça ka përfituar dy herë fonde nga IPARD nëpërmjet dy kompanive të lidhura me të. fonde ka përfituar edhe familjarë të Arben Semanjakut, një tjetër ish zyrtar i PS në Fier, që ka mbajtur detyra të larta në institucionet lokale. Kompania Danish Green Garden, e lidhur me një zyrtar të PS në Rrogozhinë, Lutfi Kashari, gjithashtu të paktën tre herë qindra mijëra euro grant nga AZHBR. 

Në qarkun e Korçës kanë përfituar drejtori i ujësjellësit Petrit Tare si dhe drejtori i prokurimeve publike në bashkinë Ersekë, Armand Tafili. Ky i fundit ngre dyshime të forta se mund të jetë prestanome i personave të tjerë, pasi nuk justifikon me të ardhurat e tij ndërtimin e një agroturizmi. Plug risolli detaje edhe për përfitimin nga grantet IPARD të Elton Buallit, drejtori të inceneratorit të Tiranës, apo familjarëve të tërmet Peçit në Tepelenë. Ndonëse emrat janë publik dhe tashmë është faktuar që gati gjysma e përfituesve kanë abuzuar, SPAK vijon të hesht për këtë aferë.