VIDEO/ Kush e pagoi ardhjen e Erik Adams në Tiranë? Abilekaj: Rama korruptoi si me McGonigal
Gazetari Enton Abilekaj ishte i ftuar në edicionin informativ ‘Ora 19’ në SYRI TV, ku foli për vizitën e kryebashkiakut në detyrë të Nju Jorkut, Erik Adams, në Tiranë.
Përballë moderatores Armela Ferko, Abilekaj deklaroi se marrëdhënia Rama–Adams mund të jetë e ngjashme me atë që kryeministri Edi Rama kishte me ish-drejtuesin e zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal.
‘Përmendja e McGonigal nga gazetari i Neë York Times ishte një mënyrë për të shpjeguar se çfarë ndodh vërtetë, që kemi të bëjmë me një kryeministër që ka korruptuar, është korruptues dhe marrëdhënia e tij me Erik Adams, ka shumë mundësi të jetë e njëjtë me atë të McGonigal, sipas asaj që Neë York Times na sugjeronte të lexonim. Kjo besoj se është arsyeja e vërtetë,’ u shpreh Abilekaj.
Sipas tij, vizita e Adams në Tiranë nuk ka të bëjë me nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje apo me çështjen e linjës ajrore Tiranë–Nju Jork.
‘Nuk është arsyeja që linja ajrore Tiranë-Nju Jork të marrë firmën e Erik Adams, sepse ai nuk ka asgjë në dorë për linjën ajrore. Ose do të lobohet që ai të marrë një pozicion në administratën amerikane që mund t’i interesojë Edi Ramës, për shkak edhe të një aleance fluide që ai ka me Trump, e cila theksohej tek Neë York Times, që njerëzit e Trump pushuan hetimet për Erik Adams për dy çështje, dhe ndodhi në mënyrë të pashpjegueshme,’ tha Abilekaj.
Gazetari shtoi se kjo mund të jetë një mënyrë që Rama të kërkojë lidhje me kampin e Donald Trump.
‘Mund të jetë një rrugë për tek Trump, dhe Edi Rama po tenton dëshpërimisht të gjejë një shteg për tek Trump. Ajo që kuptojmë ne është se kjo nuk ishte një vizitë diplomatike në të mirë të askujt, por ishte një marrëdhënie private e Edi Ramës, i cili këto marrëdhënie private i zhvillon kryesisht me paratë tona, me një luks të shfrenuar që paguhet po prej nesh,’ theksoi Abilekaj.
Ai kujtoi gjithashtu se përdorimi i helikopterit gjatë vizitës së Adams në Shqipëri kishte tërhequr vëmendjen e mediave amerikane, të cilat më pas e kishin ‘fshehur’ këtë detaj.
‘Siç është përdorimi i helikopterit që medieve amerikane u kishte bërë shumë përshtypje dhe që pastaj ata e fshehën përdorimin e helikopterit për këto arsye,’ tha ndër të tjera, Enton Abilekaj në SYRI TV.