'Pushteti kontrollohet me show'/ Saraçi: Qeveria ka shkatërruar balancat, s'ka pavarësi të institucioneve

Kryeredaktori i Syri TV, Romir Saraçi, ka ngritur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, duke deklaruar se “pushteti në Shqipëri po kontrollohet me show dhe me propagandë”.

Në studion e emisionit Task Force, Saraçi tha se lidhja e pushtetit me gjyqësorin, ekzekutivin dhe parlamentin është bërë përmes propagandës, duke cenuar pavarësinë e institucioneve.

“Doli kryeministri dhe tha, direkt pas vrasjes gjeti shkakun dhe tha ashpërsim për armëmbajtjen pa leje. Kush e di që ajo armë ishte pa leje? S’e dimë akoma, sepse edhe në komunikatën e prokurorisë sot nuk kishte akuzë për armëmbajtje pa leje,” tha Saraçi, duke akuzuar Ramën se po përdor tragjedinë për qëllime propagandistike.

Sipas tij, vrasja e një gjyqtari është “burgim i përjetshëm”, prandaj sa i përket ashpërsimit të masave, “është kapitull i mbyllur”. Ai theksoi se problemi i vërtetë sot është shkatërrimi i ndarjes së pushteteve. “Sot kryeministri flet si drejtuesi i pushtetit, trajneri i lojtarëve të vet. Jo, Edi Rama nuk është trajner i tyre,” tha Saraçi, duke kujtuar se gjyqësori është pushtet i pavarur dhe nuk mund të intimidohet nga ekzekutivi.

Saraçi denoncoi gjithashtu se “ne shohim drejtues të institucioneve të drejtësisë që sillen si vartës të kryeministrit, por kjo ndodh edhe për shkak të asaj çfarë përfaqësojnë ata persona”.

Ai ngriti pyetje të drejtpërdrejta mbi emërimet në institucionet e drejtësisë: “Kush është në krye të ILD-së, kush është në krye të Shkollës së Magjistraturës, kush është në krye të Gjykatës së Lartë, kush është në Gjykatë Kushtetuese e me radhë.”

Duke folur për opozitën, Saraçi theksoi se “e drejta e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore për kontrollin e pushtetit është e garantuar tashmë edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese”, por kjo e drejtë po injorohet nga qeveria. Ai e quajti të kotë diskutimin për ligjet, kushtetutën dhe pavarësinë e institucioneve “në Shqipëri, ku gjithçka kontrollohet nga kryeministri”.

Saraçi shtoi se “qytetarët sot duhet të reflektojnë dhe të reagojnë, dhe të kërkojnë problemin që në gjenezë, dhe gjeneza është qeverisja e vendit sot”. Sipas tij, vetëm përmes presionit qytetar pushteti dhe shteti mund të detyrohen të tërhiqen dhe të bëjnë hap pas.

Saraçi:

Pushteti në Shqipëri po kontrollohet me show dhe me propagandë, për ta lidhur edhe me gjyqësorin edhe me përmbajtjen e ekzekutivit, dhe të parlamentit.

Doli kryeministri dhe tha, direkt pas vrasjes gjeti shkakun dhe tha ashpërsim për armëmbajtjen pa leje. Kush e di që ajo armë ishte pa leje? S’e dimë akoma, sepse edhe në komunikatën e prokurorisë sot nuk kishte akuzë për armëmbajtje pa leje.

Vrasja ndaj gjyqtarit është burgim i përjetshëm, pra sa i përket aspektit të ashpërsimit të masave, është kapitull i mbyllur.

Problemi sot është se ka një ngatërresë që edhe qytetarët shqiptarë e anashkalojnë. Është ndarja e pushteteve, pra sot kryeministri flet si drejtuesi i pushtetit, trajneri i lojtarëve të vet. Jo, Edi Rama nuk është trajner i tyre, është e drejtë kushtetuese, është pushtet i pavarur, gjyqësori kurrë nuk mund të intimidohet, ekzekutivi dmth qeveria e ka me kushtetutë t’i garantojë financat, parlamenti kontrollin por ai funksionon si pushtet i pavarur. Kurse sot ne shohim drejtues të institucioneve të drejtësisë që sillen si vartës të kryeministrit, por kjo ndodh edhe për shkak të asaj çfarë përfaqësojnë ata persona.

Kush është në krye të ILD-së, kush është në krye të Shkollës së Magjistraturës, kush është në krye të Gjykatës së Lartë, kush është në Gjykatë Kushtetuese e me radhë.
Sa i përket pjesës së opozitës dhe pjesës së llogaridhënies, duhet të kujtojmë që e drejta e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore për kontrollin e pushtetit është e garantuar tashmë edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, pra nuk ka si mohohet.
Por në rastin konkret, as ligjet, as kushtetuta, as pavarësia e institucioneve… është diskutim i kotë në Shqipëri.
Duhet një reagim i fortë, jo si ai që po shohim në rrjetet sociale, apo si ai që sugjeronte kryeministri ‘në lule të ballit’, por qytetarët sot duhet të reflektojnë dhe të reagojnë, dhe të kërkojnë problemin që në gjenezë, dhe problemi në gjenezë, gjeneza është qeverisja e vendit sot.

Nëse ka reagim dhe reflektim qytetar… kemi parë reflektime të sinqerta nga ana e qytetarëve që kanë bërë pushtetin dhe shtetin që të tërhiqet, të bëjë hap pas.