EMRAT/ Ndryshime në Policinë e Shtetit, lëvizje dhe emërime në disa poste drejtuese
Në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit janë bërë disa ndryshime të rëndësishme. Vendimet e fundit përfshijnë lëvizje brenda drejtuesve të lartë dhe rikthime në pozicione akademike.
Sipas burimeve zyrtare, Altin Qato, i cili deri më tani mbante detyrën e Drejtorit të Policisë Rrugore, është emëruar pedagog në Akademinë e Sigurisë.
Në vend të tij, është emëruar Perlat Vatoci, i cili më parë ushtronte funksionin e Këshilltarit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, Arbër Zemani, që drejtonte Sektorin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është ngritur në detyrë dhe do të drejtojë Drejtorinë Rajonale të Kufirit Shkodër.
Në këtë kuadër, Adrit Elmazi, i cili më parë ishte Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kufirit Shkodër, është transferuar në Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ku do të ushtrojë detyrën e Specialistit në Drejtorinë Strategjike.