VIDEO/ Burimi: Familja e gjyqtarit të hedhë në gjyq shtetin, nuk arriti të krijojë siguri në pune
Gazetari Genc Burimi ishte i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ku foli për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.
Burimi theksoi se përgjegjësia kryesore për ngjarjen i takon shtetit shqiptar, që sipas tij, nuk arriti të garantojë sigurinë e gjyqtarit.
‘Përgjegjësia kryesore i takon shtetit. Unë habitem sot, mbase e kanë ndërmend, familja është ende e shokuar dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të thella, por si në Perëndim, kjo familje sot duhet të ngrejë akuzë mbi shtetin që nuk arriti të garantojë jetën e këtij gjyqtari.
Shteti sot është në linjë të përgjegjësisë.’
Burimi shtoi se familja e gjyqtarit duhet të kërkojë drejtësi edhe në instanca ndërkombëtare, nëse është e nevojshme.
‘Natyrisht gjykatësit, prokurorë, kolegët e këtij gjykatësi kanë të drejtën e tyre, mund të bëjnë dhe grevë, por familja e tij duhet të tregojë gishtin ndaj shtetit dhe të shkojë deri në Strasburg po qe nevoja, sepse shteti ka vrarë këtë të pafajshëm.
Pse e ka vrarë? Sepse siguria. Sigurisht mund të ishte vrarë në rrugë, por është minimumi një skaner që nuk punon. Një polic që nuk është i armatosur. E gjitha është ekzekutivi. Leje pastaj më për sallën e gjyqit.’
Gazetari theksoi se shteti është fajtor për dy arsye thelbësore.
‘Shteti është fajtor për dy gjëra.
E para se nuk arriti të krijojë sigurinë. E veja e një gjyqtari francez që u vra në Xhibuti, bëri padi ndaj shtetit francez sepse nuk i krijoi sigurinë.
E dyta është tepër më e rëndë. Duhet parë tek përgjegjësia personale e Edi Ramës dhe sulmet e tij me emër kundër gjyqtarëve. Do thonë se dhe Berisha i sulmon gjyqtarët. Por në Perëndim, në opozitë, një gazetar, kushdo që nuk është në pushtet, ka të drejtë morale, intelektuale, juridike që të anatemojë drejtësinë, sepse nuk i pëlqen.
Por kurrë, kurrë një pushtetar nuk ka të drejtë të anatemojë drejtësinë. Pse? Sepse është ai që krijon buxhetin e shtetit, ku përfshihet edhe buxheti i drejtësisë dhe i mbrojtjes së drejtësisë.’