Disa personazhe të famshëm turq thirren nga autoritetet për analiza gjaku në kuadër të një hetimi për drogë
Autoritetet në Turqi kanë nisur një hetim për përdorim të dyshuar droge, që përfshin 19 figura publike të njohura, mes tyre këngëtarë, aktorë dhe personalitete televizive, sipas njoftimit të zyrës së Kryeprokurorit të Stambollit.
Të mërkurën, disa prej personazheve të njohur u thirrën për t’u marrë në pyetje dhe për t’iu nënshtruar analizave të gjakut, si pjesë e hetimit për “përdorim të substancave narkotike ose stimuluese”. Mediat turke raportojnë se të dyshuarit pritet të lirohen pas dhënies së deklaratave dhe nuk priten arrestime apo akuza në këtë fazë.
Ligji turk parashikon që në rastet e përdorimit personal të drogës, autoritetet mund të urdhërojnë trajtim ose rehabilitim në vend të dënimit me burg.
Hetimi i fundit vjen në një kohë kur qeveria turke po shton presionin ndaj figurave të njohura dhe artistëve kritikë ndaj pushtetit të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Këngëtarja e njohur e muzikës pop, Mabel Matiz, aktualisht përballet me deri në tre vjet burg për “turpësi publike” në tekstin e njërës prej këngëve të saj, ndërsa grupi i vajzave Manifest është paditur për “akte të pahijshme” gjatë një performance të fundit.
Në muajt e fundit, Turqia ka intensifikuar operacionet kundër trafikut dhe përdorimit të drogës. Në prill, policia arrestoi 525 persona të dyshuar si trafikantë në Ankara, në atë që autoritetet e përshkruan si “operacionin më të madh të narkotikëve” në historinë e vendit.