Trumpi shfaqet si një figurë dominuese në sfondin e Çmimit Nobel për Paqe
Nga Richard Milne, Oslo/
Asnjë politikan nuk ka bërë fushatë për Çmimin Nobel për Paqe si Donald Trump.
Presidenti amerikan ka qenë i hapur dhe i palodhur në përpjekjen e tij për të fituar një nga nderimet më prestigjioze në botë, duke thënë se do të ishte një "fyerje e madhe" nëse nuk do ta merrte.
Por ekspertët janë skeptikë se kjo fushatë e paprecedentë do të japë rezultat kur Komiteti Norvegjez i Nobelit ta shpallë fituesin të premten. Arsyet variojnë nga sjellja e vetë Trump-it brenda dhe jashtë vendit, deri te fakti se çmimi jepet për veprimet e vitit 2024, kur ai ishte zgjedhur, por ende nuk kishte hyrë në detyrë.
"Të ushtruarit presion mbi komitetin, të dalësh e të thuash 'unë e meritoj çmimin', nuk është një qasje shumë paqësore," tha Nina Græger, drejtoreshë e Institutit të Kërkimeve për Paqe në Oslo.
Halvard Leira, drejtor kërkimesh në Institutin Norvegjez të Çështjeve Ndërkombëtare, shtoi: "Ka pasur edhe më parë fushata, por kanë qenë më të rafinuara." Ai përmendi një fushatë "mjaft të sofistikuar" të Koresë së Jugut për t'ia dhënë çmimin ish-presidentit të saj Kim Dae-jung, gjë që ndodhi në vitin 2000.
Asgjë nga këto nuk e ndal Trump-in. Qasja e tij është plot hiperbolë dhe deklarata publike për vlerat e tij. "I mbylla shtatë luftëra," ka thënë disa herë. "Ata kurrë s'do ma japin Çmimin Nobel për Paqe. Është për të ardhur keq, e meritoj," deklaroi në shkurt.
Trump ka ushtruar gjithashtu presion ndaj qeverisë norvegjeze. Sipas zyrtarëve norvegjezë, ai e ka përmendur çmimin të paktën në një telefonatë me ministrin e financave dhe ish-shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ministri i jashtëm norvegjez Espen Barth Eide theksoi se komiteti i Nobelit është i pavarur nga qeveria dhe se ai kishte "përvojë të madhe" në shpjegimin e kësaj gjëje për vende të ndryshme.
Pak në Oslo besojnë se komiteti, që përbëhet nga pesë anëtarë, përfshirë një aktivist të të drejtave të njeriut, një ekspert politikash të jashtme dhe tre ish-ministra, do t'ia japë çmimin Trump-it këtë vit. Megjithatë, presidenti amerikan mund të ndikojë në vendim, me fituesin që mund të jetë një individ ose një grup i të drejtave që nuk shihet si tepër armiqësor ndaj SHBA-së ose Izraelit.
Edhe ata që kanë tallur përpjekjet e fundit të Trump-it për paqe, si p.sh. ngatërrimi i përsëritur i Shqipërisë me Armeninë, pranojnë se përpjekjet e tij për t'i dhënë fund luftës në Gaza mund të jenë një argument i fortë në favor të tij.
"Ka qenë e vështirë t'i marrësh seriozisht disa nga deklaratat e tij, por kjo është ndryshe. Gaza do të ishte diçka e madhe," tha një diplomat europian.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është ndër liderët botërorë që i janë drejtuar komitetit për të kërkuar që Trump të marrë Çmimin Nobel për Paqe. Një grup që përfaqëson familjet e pengjeve izraelite që ende mbahen nga Hamasi në Gaza i ka shkruar gjithashtu komitetit në Oslo, duke argumentuar se Trump "bëri të mundur atë që shumë e quanin të pamundur".
Zyrtarët europianë besojnë se Trump po përpiqet të arrijë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit përpara shpalljes së çmimit të premten, në mënyrë që të ndikojë në vendimin e komitetit.
Pika kryesore e përplasjes së tij me komitetin mbetet vendimi i vitit 2009 për t'ia dhënë çmimin rivalit të tij të madh, Barack Obama, për "përpjekje të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin midis popujve". Çmimi iu dha Obamës menjëherë pasi ai kishte filluar presidencën, pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar.
"Nëse quhesha Obama, çmimin do ta kisha marrë për dhjetë sekonda," u ankua Trump vitin e kaluar.
Të paktën pesë ligjvënës republikanë kanë dërguar letra zyrtare duke e nominuar Trump-in për komitetin norvegjez. "E vetmja gjë që më bezdis është që s'kam qenë i pari që e bëra këtë," tha Brian Mast, kongresisti republikan nga Florida dhe kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, për Financial Times.
Fiksimi i Trump-it me Nobelin po përdoret gjithashtu si një mënyrë për ta lëvduar dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve të tjera të politikës së jashtme. Presidenti tajvanez Lai Ching-te tha këtë javë në një radio konservatore amerikane se Trump "pa dyshim duhet të jetë laureat i Çmimit Nobel për Paqe" nëse do të bindte Kinën të "heqë dorë nga çdo agresion ushtarak kundër Tajvanit".
Në Oslo ndihet një farë shqetësimi për hakmarrjen e mundshme të Trump-it përmes tarifave apo masave të tjera nëse nuk shpallet fitues të premten. Një burim shtesë tensioni është edhe polemika e fundit pas vendimit të fondit sovran norvegjez për të shitur aksionet e tij në kompaninë amerikane Caterpillar, për shkak të përdorimit të buldozerëve të saj nga Izraeli.
Këto konsiderata mund ta nxisin komitetin të zgjedhë dikë që mund të "qetësojë Trump-in", për shembull një grup humanitar si Emergency Response Rooms në Sudan, tha Leira. Edhe Græger e përmendi këtë grup si kandidat të mundshëm.
Por Leira shtoi se disa anëtarë të komitetit kanë lënë të kuptohet se "nuk reagojnë mirë ndaj presionit", çka mund të sjellë një vendim më provokues. Græger sugjeroi se Gjykata Ndërkombëtare Penale ose Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve mund të ishin zgjedhje që do ta irritonin Trump-in, pasi administrata e tij kishte vendosur sanksione ndaj GJNP-së dhe kishte kufizuar punën e gazetarëve që mbulonin Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin.
Një diplomat europian përmendi gjithashtu faktin se Trump e ka riemërtuar së fundmi ministrinë e mbrojtjes në "Departamenti i Luftës". Fitorja e tij e çmimit të paqes "do të dërgonte një sinjal të çuditshëm," tha ai.
"Por ne të gjithë jetojmë tashmë në botën e Trump-it. Edhe ky debat rreth Nobelit e vërteton këtë." / Financial Times - Syri.net